Ballina Kampionati Hristov ndëshkon Kukësin, Skënderbeu e nis si kampion

Hristov ndëshkon Kukësin, Skënderbeu e nis si kampion

196
0
Our Sponsor

Bullgari shënon golin e parë me fanellën e korçarëve, duke i dhënë 3 pikët në një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj një rivali në garën për titull

 

E shtunë, 29 gusht 2015, ora 20:00, stadiumi “Skënderbeu”, Korçë

Our sponsor

 

Skënderbeu – Kukësi  1-0

Shënues: Hristov 55’

 

Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Jashanica, Arapi, Abazi, Shkëmbi, Lilaj (Nimaga 44’), Latifi (Eskuerdinja 83’), Berisha, Peter, Hristov (Progni 58’). Trajner: M.Josa.

Kukësi: Koci, Hallaçi, Shameti, Malota, Mici, Hasani, Xheferson, Nika, Karioka (Lima 64’), Flores, Moreira. Trajner: M.Troisi.

Gjyëtarë:

Kartonë të verdhë: Jashanica, Vangjeli, Moreira, Mici

 

 

Goli

55’ – Malota gabon dhe dorëzon topin, që merret nga Hristov. Bullgari avancon, futet në zonë dhe gjuan saktë këtë herë, duke e kaluar Skënderbeun në avantazh. 1-0.

 

Moviola

49’ – Latifi në të djathtë fut një top në zonë dhe pretendon se Mici e ka prekur me dorë, por gjyqtari vazhdon lojën.

 

 

Episodet

9’ – Hallaçi gabon në kthimin e topit dhe i jep një mundësi shënimi Berishës, por Koci del me shpejtësi dhe largon rrezikun.

12’ – Vangjeli tenton nga distanca, jashtë kuadratit.

14’ – Berisha vepron shumë bukur në të majtë dhe kroson në zonë, ku Peter nuk arrin të godasë drejt portës.

18’ – Berisha shpërdoron në mënyrë të çuditshme, teksa i vetëm në zonë gjuan jashtë kuadratit.

21’ – Dy goditje këndi radhazi për Skënderbeun, por që nuk sjellin rezultat.

23’ – Flores, brenda zonës korçare, nuk arrin të pasojë saktë për Nikën.

25’ – Berisha gjuan në hyrje të zonës, topi kalon ngjitur me shtyllën e djathtë të Kocit.

33’ – Kundërsulm i shpejtë i korçarëve, që mbyllet me gjuajtjen e Shkëmbit, pret Koci.

36’ – Goditje dënimi për Skënderbeun në pozicion ballor. Gjuan Latifi me të djathtën, reagon portieri i Kukësit.

41’ – Lilaj jep një pasim në zonë për bullgarin Hristov, i cili gjuan me të djathtë, por në mënyrë të gabuar.

43’ – Hristov merr një pasim në hyrje të zonës, lirohet dhe gjuan me të majtën, por nuk është i saktë.

45’ – Latifi kombinon bukur me Hristov, i cili tenton ta gjejë në zonë, del me shpejtësi Koci.

54’ – Moreira provon nga jashtë zonës, por topi kalon jashtë kuadratit.

61’ – Shkëmbi gjuan me të majtën, jashtë.

74’ – Latifi vepron bukur jashtë zonës, por nuk arrin të finalizojë apo të pasojë.

76’ – Nimaga gjuan me të majtën, pret portieri kuksiane.

77’ – Lima merr një pasim të saktë në zonë dhe gjuan fort, grushton portieri Shehi.

78’ – Goditje këndi për miqtë nga Kukësi. Kroson Mici, Moreira me kokë, sipër traut.

82’ – Goditje dënimi për Kukësin. Gjuan Mici, topi kalon sipër traut.

88’ – Aksion i shpejtë nga e majta i Kukësit, por krosi është i gabuar.

 

 

Leonard Trebicka

 

Skënderbeu ia ka arritur qëllimit ta fitojë ndeshjen e parë të kampionatit, që ishte shumë e vështirë jo vetëm se përballë ishte Kukësi rival, por edhe nga që ekipi vinte nga suksesi historik në Europë dhe nuk do ta kishte aspak të lehtë përshtatjen. Ka vendosur një gol i sulmuesit bullgar, Ventsislav Hristov, i cili e ka nisur ndeshjen titullar, bashkë me afrikanin Peter. Një gol shumë i rëndësishëm për këtë futbollist të ardhur me bujë te kampionët, por që deri tani nuk kishte treguar shumë nga bagazhi i tij. Ndoshta tashmë është zhbllokuar dhe do t’i shërbejë më shumë Skënderbeut në të ardhmen. Korçarët kanë sulmuar më shumë dhe kanë krijuar më shumë raste, por edhe kuksianët, sidomos në fundin e ndeshjes, janë shfaqur shumë të rrezikshëm me lojtarët brazilianë. Një fitore e merituar e kampionëve në fuqi, që i kanë bërë një nisje të mbarë kampionatit, ku synojnë titullin e 6-të radhazi.

PJESA E PARË – Pa Osmanin dhe Radasin të dëmtuar, trajneri Josa ka kaluar Arapin në qendër të mbrojtjes, ku ai është aktivizuar edhe më parë, për t’i bërë vend Abazit në të majtë. Nimaga ulet në stol, ndërsa në sulm luan dyshja Hristov-Peter. Nga ana tjetër, Kukësi luan me formacionin e tij të zakonshëm, me 3 brazilianët dhe Nikën përpara, si dhe me 2 mesfushë qendre me tipare mbrojtëse. Loja nis me ritëm të lartë dhe sulmet kalojnë sa në njërin krah në tjetrin, por më afër portës janë korçarët. Hallaçi gabon fatalisht në kthimin e topit, por portieri Koci del shpejt për të mos e lënë Berishën të shënojë. Më pas ka më shumë qarkullim topi nga ana e kampionëve, ndërsa veriorët mbrohen shumë mirë, duke lënë pak hapësirë. Berisha dhe Latifi janë një shqetësim i vazhdueshëm për mbrojtjen kuksiane, por mungon finalizimi. Korçarët provojnë në këtë pjesë edhe me gjuajtje nga jashtë zonës apo nga goditjet e dënimit, por Koci është i pakalueshëm. Kukësi ka një rast shumë të mirë me anë të Floresit, i cili futet në zonë, por as nuk gjuan në portë dhe as pason për Nikën. Hristov provon të bëjë diçka, pas kombinimeve me Latifin, por sërish pa rezultat, ndërsa Lilaj dëmtohet dhe pa u mbyllur kjo pjesë, i lë vendin Nimagës.

PJESA E DYTË – Stafi i Kukësit ndërhyn me Musollin dhe Biringuetën, pasi nuk pajtohet me rezultatin, kurse Skënderbeu duhet të zhbllokojë rezultatin. Fillimi i kësaj pjese është disi i vakët, deri në minutën e 55-të, kur Malota gabon rëndë dhe Hristov, pasi rrëmben topin, futet në zonë dhe gjuan saktë me të djathtën, duke mposhtur portierin kuksian. Korçarët çlirohen dhe më pas e kontrollojnë më mirë lojën, por mungojnë rastet e pastra për shënim. Sulmuesi bullgar i lë vendin Prognit dhe Peter mbetet i vetëm përpara. Gjuajtjet nga jashtë zonës, nuk janë të sakta dhe gjithçka mbetet e fiksuar në rezultatin 1-0. Kukësi mundohet të reagojë dhe në fushë është edhe Lima. Ky i fundit ka rastin më të mirë për të barazuar, por gjuajtja e tij brenda zonës pritet nga Shehi. Trajneri Josa hedh në fushë edhe Eskuerdinjën në vend të Latifit, duke dashur që skuadra e tij ta administrojë më mirë lojën. Pavarësisht disa sulmeve të miqve, gjithçka mbyllet me fitoren minimale të Skënderbeut, që i bën nisjen e duhur një kampionati, që parashikohet më i vështirë. Dhe fitorja ndaj një rivali që në start është një ogur i mirë.

 

 

Artikulli paraprakTakaj shtensionon Skënderbeun
Artikulli tjetërBerisha: Duhej të shënoja të paktën dy gola

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu