Ballina Demtime Latifi si shumë “yje” të botës, e shëron “magjia” e Marijanës

Latifi si shumë “yje” të botës, e shëron “magjia” e Marijanës

178
0
Our Sponsor

Në Shqipëri i thanë se rikuperohej për 21 ditë, por specialistja nga Beogradi, Marijana Kovaçeviç, e bëri gati për 96 orë. Më parë ka shëruar yje si Diego Kosta, Aleksis Sançes, Van Persi, Arda Turan, Runi e shumë të tjerë

 

Historia e rrallë e mesfushorit kosovar, i cili ka vazhduar normalisht stërvitjen dhe është gati menjëherë pas kthimit nga Serbia

Our sponsor

 

Leonard Trebicka

 

Liridon Latifi do të mungonte më shumë se 21 ditë, për shkak të një dëmtimi në kofshë, por ai ka dy ditë që stërvitet normalisht në resortin “Tropikal” me skuadrën e tij. Madje, kur e panë nën urdhrat e Josës në stërvitje me grupin, të gjithë janë çuditur. Kur mësoi se do të mungonte 21 ditë, Latifit iu mbushën sytë me lot, pasi nuk do të luante as ndeshjen e parë ndaj Dinamos së Zagrebit. Humbi Milsamin, por si me “magji” Latifi u kthye i gatshëm. Po çfarë ka ndodhur realisht me këtë lojtar në harkun kohor të 4 ditëve? Kush e rikuperoi në kohë rekord? Këtyre pyetjeve u përgjigjet ekskluzivisht për “Sport Ekspres” mesfushori i krahut të djathtë në intervistën e mëposhtme.

– Latifi, mund të na thoni ku u rikuperuat në mënyrë kaq të shpejtë?

– Së pari, faleminderit për interesimin. Mund të them se isha në Beograd, ku u rikuperova në kohë rekord dhe ja u ktheva përsëri në stërvitje me Skënderbeun.

– Jeni rikuperuar plotësisht?

– Po, 100%. Ju e keni parë vetë, që kam dy ditë që po stërvitem normalisht me grupin, nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa. Jam plotësisht gati?

– Kur u dëmtuat ju thanë se e pakta 21 ditë do të qëndronit larg fushave, ndërsa ju thoni që jeni 100% gati…

– Po them një të vërtetë dhe ju e shikoni vetë që po stërvitem normalisht. Eshtë e vërtetë, që mjekët në Shqipëri më thanë se nuk mund të luaja para 21 ditësh, por ja që u ktheva. Edhe mua më duket sikur u ktheva me magji. Në Shqipëri më thanë madje, që për 21 ditë as nuk duhet të ecja, ndërsa për vrapime nuk bëhej fjalë. Tani po vrapoj pas 4 ditësh.

– Le të futemi në temë. Çfarë ndodhi me ju realisht?

– Këto ditë isha në Beograd, ku kam bërë një terapi speciale me një specialiste, e cila quhet Marijana Kovaçeviç. Ajo më tha që për 4 ditë do të isha plotësisht gati dhe që mund të luaja 90 minuta pa problem. Kjo është e gjitha.

– Ju e besuat një gjë të tillë?

– Fillimisht m’u duk e pabesueshme, por kur pashë historinë e Marijanës dhe futbollistët, të cilët kanë kryer terapi te ajo, mendova se do të kisha fatin e tyre, që në kohë rekord të bëhesha mirë. Marijana ka kthyer më parë në fushë në kohë rekord Diego Kostën, Aleksis Sançes, Van Persin, Arda Turanin, Runin e shumë e shumë yje të futbollit botëror. Mund të veçoj rastin e Aleksis Sançesit, të cilit mjekët e ekipit i thanë se duhej të pushonte mbi 4 javë, për shkak të dëmtimit në këmbë, por Marijana e ktheu për 5 ditë në fushë.

– Latifi, mund të na thoni diçka më shumë për specialisten serbe dhe çfarë metode ndoqi me ju?

– Ajo është një specialiste nga Beogradi, që jeton në Dubai, por ditët e fundit, për fatin tim të madh, ishte në Serbi me pushime te familja e saj. E gjeta në Beograd dhe më ndihmoi edhe mua ashtu si emrat e tjerë, që përmenda më sipër. Eshtë shumë e njohur, por e veçanta e saj është se asnjëherë nuk prononcohet për mediet, prandaj dhe fotot e saj janë të rralla. Nuk e di arsyen pse nuk do që të bëhet publike. Ajo merret vetëm me lëndime muskulore, siç e kisha edhe unë. Gjatë këtyre ditëve punoi me një aparat me rrymë (energji) në këmbën time dhe më rikuperoi. Kaq mjafton besoj.

– Si arritët të kontaktoni me këtë specialiste, kush ua sugjeroi? – Menaxheri im, Shkumbin Qormemeti. Ai e bëri lidhjen, pasi vetëm për të kontaktuar me Marijanën ka qenë shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur.

– Duke uruar që dëmtime të tilla të mos përsëriten, pasi Marijana mund të jetë edhe në Dubai,  a jeni gati për ndeshjen me Laçin?

– Jam i gatshëm për Laçin, por nuk kam dëshirë të rrezikoj asgjë, pasi përpara kemi Dinamon e Zagrebit dhe kam kryer vetëm dy stërvitje të plota me Skënderbeun, pas kthimit nga Beogradi. Preferoj të jem gati për ndeshjen me Dinamon.

– Ju erdhi keq, që e humbët përballjen ndaj Milsamit?

– Më erdhi shumë keq. Doja shumë që të isha në atë ndeshje, por ky ishte fati im.

– A jeni i kënaqur me paraqitjen e deritanishme me Skënderbeun?

– Nuk ka si të mos jem i kënaqur, pasi kam bërë paraqitje shumë të mira. Por jam i sigurt se mund të jap më shumë. Duhet të theksoj se gjithçka është arritur, falë lojës së mirë të gjithë grupit, sepse ky grup të mundëson realisht të japësh më të mirën. Dhe me këtë rast dua t’i falënderoj të gjithë, me në krye presidentin Ardjan Takaj.

– A keni marrë oferta nga ekipe të huaja gjatë kësaj periudhe?

– Për momentin, nuk kam ndonjë informacion, pasi është presidenti ai që do të më kontaktonte, nëse do të kishte oferta për mua. Unë kam kontratë me Skënderbeun.

– Sipas jush, ka mundësi skuadra juaj ta kalojë Dinamon e Zagrebit?

– Shpresoj shumë të kemi pak fat me Dinamon e Zagrebit në të dyja ndeshjet. Kemi një skuadër shumë të fortë dhe nuk ka arsye pse të mos besojmë se mund ta kalojmë edhe Dinamon.

– Ndeshja e parë në Elbasan…

– Në “Elbasan Arena” do të kërkojmë një rezultat të favorshëm dhe e rëndësishme është të mos pësojmë gol. Ndërsa në Zagreb jam i bindur që do të shënojmë me kundërsulm.

– Pse jeni kaq i bindur, që Skënderbeu do t’i shënojë Dinamos së Zagrebit?

– E thashë më lart, që kemi një skuadër shumë të mirë, e njohim njëri-tjetrin shumë mirë dhe japim shpirtin në fushë për të marrë maksimumin. Me këtë skuadër kam arritur suksese të mëdha në karrierën time dhe shpresoj që edhe në të ardhmen të vazhdoj kështu.

– Ju falënderojmë që e treguat historinë tuaj për gazetën tonë!

– Faleminderit edhe juve!

1 ndeshje

ka munguar Liridon Latifi pas dëmtimit, në atë të kthimit ndaj Milsamit në “Elbasan Arena”, ku Skënderbeu fitoi me rezultatin

2-0.

 

Artikulli paraprakJa si do të luajnë kampionët!
Artikulli tjetërLista Champions, Skënderbeu federon edhe Olainkën

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu