Skënderbeu dhe Laçi do të nisin nesër zyrtarisht sezonin e ri dhe menjëherë do të kenë mundësi që të fitojnë edhe trofeun e parë sezonal, duke qenë se në “Selman Stërmasi” luhet finalja e Superkupës së Shqipërisë.
Ky takim, do të jetë tepër i rëndësishëm për të dyja skuadrat, pasi si trajneri Mërgjyshi i Laçit, ashtu edhe Orges Shehi i Skënderbeut, do të drejtojnë skuadrat në ndeshjen e parë zyrtare. Në një prononcim për “Supersport”, Shehi shprehet se ky takim është emocionues, ndërkohë që Laçin e sheh si më të avantazhuar.
“Superkupa? Jemi pjesë e ekipit kampion dhe kjo të jep mundësinë që ta nisësh menjëherë sezonin me një luftë për trofe. Është ndeshja e parë zyrtare për mua, është paksa emocionuese.
Kundërshtari? Laçi niset paksa më i avantazhuar, sepse ata kanë luajtur disa ndeshje zyrtare. Nuk e kemi studiuar aq shumë, sepse kanë ndryshuar trajner. Në këto raste ndryshon edhe filozofia e lojës.
Mungesat? E vetmja mëdyshje lidhet me Abazin, pasi Leo nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore. Për fat të keq na u dëmtua Nimaga vetëm tre ditë përpara ndeshjes. Këto do të jenë dilemat tona.
Merkatoja? Presim edhe dy lojtarë të tjerë. Emra konkretë nuk mund të jap, por të paktën njërin prej tyre opinioni e njeh shumë mirë”, u shpreh Shehi.