Skënderbeu po mbyll pak e nga pak përgatitjet për ndeshjen e radhës, që do të jetë e para zyrtare për Orges Shehin në krye të pankinës së kampionëve në fuqi. Përballë Laçit, në “Selman Stermasi” do të luhet trofeu i Superkupës dhe është një mundësi e mirë që korçarët të nisin sezonin me këmbën e duhur. Në të tilla kushte, Skënderbeu është duke punuar fort dhe trajneri Shehi kërkon të marrë përgjigjet e duhura dhe të vendosë formacionin që do të zbresë në fushë nga minuta e parë
Në bazë të seancave stërvitore të zhvilluara në kampin bardhekuq, Shehi duket se ka vetëm pak dilema në lidhje me formacionin. Nga porta në sulm duket se “pasaktësitë” e Shehit janë vetëm në repartin e avancuar. Në portë, Teqja është titullar mes shtyllave dhe para tij vendoset katërshja e mbrojtjes që do të formohet nga Vangjeli në të djathtë dhe Abazi në të majtë, ndërsa dyshja e qendrës është e përbërë nga Radas dhe Aliti.
Në mesin e fushës, “ekranin” do ta bëjë Dita dhe para tij pritet të luajë Muzaka dhe një mes Vilës e Demtes nga minuta e parë. Në sulm, fanellat e titullarit janë të sigurta për Bregun dhe Gripshin, ndërsa në dilemë është prezenca në majë të sulmit e njërit mes Krasniqit dhe Oto Xhonit, që do të luajë nga minuta e parë këtë takim.