Skënderbeu nis sezonin këtë fundjavë me finalen e Superkupës së Shqipërisë përballë Laçit dhe trajneri Orges Shehi ka kërkuar me çdo kusht që të ketë në dispozicion çdo futbollist të mundshëm. Kjo, edhe pse praktikisht i ka shpallur luftë Federatës së Palestinës për mesfushorin Mohamed El-Kajed.
Federata e Futbollit të Palestinës kishte bërë kërkesë te klubi korçar që të kishte në dispozicion futbollistin për Lojërat Aziatike, pasi ai është pjesë e përfaqësueses U23 të këtij vendi. Korçarët fillimisht refuzuan kërkesën duke argumentuar se lojtari ishte i dëmtuar por me riaftësimin e tij, kjo kërkesë u përsërit.
Gjithsesi, Skënderbeu refuzoi përsëri, pavarësisht insistimit të palës palestineze, duke pretenduar se nuk mund të hiqte dorë nga futbollisti në këtë moment të sezonit, edhe pse ai nuk parashikohet të jetë titullar. Korçarët janë të ndërgjegjshëm se pas Laçit i pret një test tjetër shumë delikat në kampionat përballë Partizanit që në javën e parë ndaj nuk duan të humbin futbollistin i cili në rast se do t’i bashkohej përfaqësueses, do të qëndronte larg Skënderbeut për të gjithë muajin gusht.