Skënderbeu dhe Orges Shehi janë gati për tro feun e parë sezonal. Debutimin zyrtar Shehi do ta ketë përballë Laçit në Superkupë, në një ndeshje që parashikohet e fortë dhe me mjaft emocione. Në kampin bardhekuq janë të përqendruar vetëm te sfida e së dielës dhe ndoshta kjo lë të kuptohet se, si çdo trofe, edhe Superkupa është e rëndësishme për Skënderbeun.
I këtij mendimi ka qenë edhe trajneri Orges Shehi, i cili në debutimin e parë zyrtar do të luajë për trofe. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Shehi flet për ndeshjen e radhës, ndërsa tregon se në një ekip si Skënderbeu, trofetë janë gjithmonë të rëndësishëm.
Shehi, do të debutoni në një ndeshje të vlefshme për trofe. Ndieni emocione?
Të them të drejtën, kjo është një punë, e cila ka nisur një vit më parë. Pra, jemi duke “vjelë” frytet e sezonit fantastik që zhvilluam vjet dhe për këtë duket se meritojmë maksimumin. Kemi luksin të luajmë për një trofe që në startin e këtij sezoni. Dhe ta nisësh këtë aventurë me një ndeshje të tillë, është gjithmonë bukur.
Fakti që luani për trofe e bën më të nxehtë debutimin tuaj?
Nuk mendoj se bëhet fjalë vetëm për debutimin tim te Skënderbeu, por është në tërësi ky klub, që bëhet shumë serioz në momentin kur diskutohet një trofe. Kjo, pasi jemi mësuar që të luajmë gjithmonë për një objektiv madhor dhe do të vijojmë që të punojmë në këtë mënyrë. Kjo është ajo që gjithmonë ne kërkojmë të bëjmë me ekipin tonë. Dhe për këtë, kemi ditë që po punojmë me ritëm të lartë. Besoj se do të jetë një ogur i mirë, nëse do ta nisim me një trofe këtë fillimsezoni, për të fituar më shumë siguri për nisjen e kampionatit.
E keni studiuar Laçin dhe, nëse po, sa e njihni?
Për të qenë i sinqertë, nuk kemi pasur shumë mundësi, pasi kemi qenë të përqendruar te përgatitjet tona. Nga ana tjetër, mund të them se fakti që Laçi ka ndryshuar trajner, nuk besoj se do të ishte e vlefshme për të mësuar se çfarë loje bën. Njohim disa prej lojtarëve të tyre dhe i dimë sesi luajnë ata. Për të tjerët apo për t’i njohur më shumë do të na ndihmojë disi Marko Radas.
Po Skënderbeu juaj është gati? E keni menduar sesi do të luani?
Ekipi im është gati dhe po punojmë për të qenë në maksimumin e mundshëm në këtë takim. Jemi duke vijuar përgatitjet dhe, të them të drejtën jam i kënaqur me gjithçka apo çfarë ka treguar ekipi në këto kohë përgatitjesh. Kemi edhe disa ditë në dispozicion për të bërë më të mirën e mundshme dhe do të jemi gati të dielën.
Prej ditësh, sulmuesi franko-kamerunas, Janik Makota, është pjesë e Skënderbeut, si ju duket?
Nuk kemi pasur shumë kohë në dispozicion për t’u marrë specifikisht me të, për vetë faktin se kemi qenë të impenjuar me përgatitjet e ndeshjes. Por nga sa kemi parë këto kohë, në kaq pak ditë, duket se ka disa gjëra shumë pozitive, që mund t’i përshtatet mirë lojës sonë. Megjithatë, do të shohim edhe në vijim se çfarë do të ndodhë.
Për sa i përket merkatos, çfarë prisni ende…
Nuk mund të them asgjë nëse është mbyllur apo jo merkatoja. Jemi të përqendruar te ndeshja dhe po mendojmë vetëm për ndeshjen me Laçin. Për të tjerat do të flasim…