Skënderbeu, pavarësisht luftës që ka me UEFA-n në lidhje me dënimin 10-vjeçar për në Kupat e Europës, vazhdon të jetë në gjueti të talenteve, të cilët i rrit dhe më pas i shet në skuadra të huaja.
Klubi korçar ka zyrtarizuar pak minuta më parë edhe mesfushorin 20-vjeçar Almir Ajzeraj, i cili ka firmosur një kontratë 4-vjeçare. Ajzeraj luan në krahun e majtë të mesfushës, pikërisht aty ku korçarët kanë pasur lojtarë që janë shitur jashtë vendit si Berisha, Latifi dhe së fundi edhe Xhejms.
Ja njoftimi i klubit korçar:
20-vjeçari Almir Ajzeraj prej sot është zyrtarisht futbollist i Skënderbeut. Ajzeraj ka firmosur fillimisht kontratën që e lidh me klubin për 4 vitet e ardhshme dhe më pas ka zhvilluar seancën e parë nën drejtimin e trajnerit Orges Shehi.
Ajzeraj luan si mesfushor i majtë por në karrierë ka bërë mjaft mirë edhe në rolin e organizatorit. 20-vjeçari është pjesë e përfaqësueses së Kosovës U-21 dhe sezonin e fundit ka luajtur për Flamurtarin në Superligën Kosovare.