Nëse ka një pikëpy etje të madhe te Skënderbeu, është ajo e lojtarëve që u ka përfunduar kontrata dhe ende nuk kanë rinovuar. Bëhet fjalë pikërisht për tre futbollistët kryesorë si Kristi Vangjeli, Tefik Osmani dhe Gledi Mici, të cilët ende nuk kanë vendosur të ardhmen e tyre. Ndonëse bisedimet mes palëve janë lënë për një moment tjetër, kontaktet mes klubit dhe lojtarëve nuk kanë humbur kurrë. Përmes trajnerit të ri, Orges Shehi, por edhe nga ana tjetër me vetë presidentin Ardjan Takaj, lojtarët kanë folur për të ardhmen.
Madje, burime pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se presidenti Takaj u ka bërë një kërkesë të fundit futbollistëve, që të vendosin sa më shpejt të ardhmen. Në një situatë të tillë, dita e enjte, kur nisin edhe përgatitjet e ekipit për sezonin e ri, është lënë si afati i fundit i pritjes së një përgjigjeje nga lojtarët. Përpos Vangjelit, që duket se ka kërkuar më shumë kohë për të ndarë mendjen nëse do të qëndrojë pranë familjes në Greqi apo do të vijojë të luajë në Korçë, Mici kërkon të provojë një aventurë jashtë Shqipërisë.
Pritet që për mbrojtësin e majtë të ketë një “ankand”, edhe pse deri të enjte pret përgjigjen përfundimtare edhe presidenti Takaj. Nëse Mici dëshiron të qëndrojë, kontrata është gati, por që edhe koha e pritjes është e shkurtër dhe lojtari duhet ta thotë patjetër fjalën e tij të fundit. Për sa i përket mbrojtësit Tefik Osmani, edhe ai është pa kontratë dhe ka zhvilluar disa takime me presidentin Ardjan Takaj, por akoma nuk i është mbushur mendja për të qëndruar te Skënderbeu. Duket se lojtarin e josh ideja për të luajtur në Vlorë, ashtu siç ndodh ndoshta edhe Micin, aty ku do të gjejë si trajner të ri të Flamurtarit Ilir Dajën.
LËVIZJET
Skënderbeu pritet që të nisë edhe zyrtarizimet në këtë pragstarti të fazës përgatitore. Pavarësisht se situata ka qenë tejet delikate, korçarët kanë arritur që të emërojnë trajnerin e ri për edicionin 2018-2019 dhe ky pozicion do të mbahet nga Orges Shehi. Pas largimit të Dajës nga kampionët në fuqi, Shehi do të mundohet të mbajë ekipin në nivele të larta në pritje të vendimit të KAS. Një zgjidhje brenda familjes e klubit, duke besuar tek eksperienca e Shehit. Nesër ish-portieri do të jetë i pari që do të zyrtarizohet, për t’i hapur rrugën më pas prezantimit të afrimeve. Këtu është fjala për të gjithë të rikthyerit nga huazimi, të cilët Skënderbeu ka zgjedhur t’i rimarrë në ekip. Nga Lulaj, Hoxhaj, Xhon dhe deri te Çarls, që pritet të mbërrijë në skuadër pas angazhimit me Rabotniçkin në Ligën e Europës.