Jemi gdhirë sot në këtë të diel me një lajm të kobshëm për botën e sportit dhe jo vetëm. Teodor Vaso sot ka ndërruar jetë pas një infarkti dhe ka mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë.
Me keqardhje po shkruajmë këto rreshta, pasi nga ky moment nuk do të kemi më një Legjendë, një Ikonë që kaq shumë na është dashur deri tani. 83 vjeç Vaso mbushte më 15 shtator, ndërkohë që sa shumë i ka dhënë botës së sportit dhe sa shumë na ka dhënë si intelektual dhe një figurë e ndritur.
Sot mund të shkruajmë sa të duam për Teodorin, por atë s’e kemi më midis nesh.
Lamtumirë Mjeshtër!
Lamtumirë Ikonë!
Lamtumirë Legjendë!
Teodor Vason e njihnin të gjithë sapo t’ia dëgjonin emrin! Ikona e futbollit shqiptar, krenaria e Korçës!
Gjatë karrierës së tij futbollistike ka shënuar 26 gola duke qenë në role mbrojtëse, përfaqësues në 36 ndeshje ndërkombëtare, 18 ndeshje me kombëtaren shqiptare, 15 ndeshje me skuadrën Partizani dhe 3 me skuadrën korçare.
Teodor Vaso lindi në 15 shtator të vitit 1941, në qytetin e serenatave, në Korçë. Teodor Vaso, heroi i përfaqësueses shqiptare që do të mbahet mend gjatë për ndeshjen e vitit 1967, ku luajti për 30 minuta me këmbë të vrarë dhe të enjtur kundër Republikës Federale Gjermane.
Lojtari i madh do të kthehej në një figurë të njohur në futbollin shqiptar, pasi para prapavijës ishte i pakalueshëm. E nisi karrierën si atlet në vitin 1955 ndërsa më vonë u fut në futbolli me ekipin e Dinamos. Kaloi te Partizani, për të vijuar me 17 Nëntorin e në fund me Skënderbeun. Ishte titullar i padiskutueshëm i kombëtares shqiptare që kishte në krye trajnerin, të madhin Loro Boriçi. Me kuqezinjtë ka zhvilluar 8 ndeshje ndërkombëtare dhe 10 takime miqësore.