Ka kaluar vetëm java e parë e superligës, ka ekipe që kanë marrë pikët e plota, ekipe që kanë ndarë pikë por edhe nga ato që nuk kanë pikë. Duke parë nivelin mund të thuhej se nuk kishte një nivel cilësor, dhe kjo sipas specilistëve vjen për faktin se ekipet janë nga faza përgatitore, nuk janë konsoliduar, si dhe ndryshimet e trajnerëve kanë bërë që akoma nuk janë përshtatur me filozofinë e njëri-tjetërit.
Në të gjithë deklarimet e pasndeshjeve trajnerët kanë evidentuar këtë fakt dhe e kanë pranuar se ekipet e tyre do të arrijnë formën maksimale pas javës së katërt ose të pestë. Po të shtosh faktin se merkato është e hapur dhe po bëhen afrime nga shumë ekipe, duket se trajnerët kanë të drejtë, por pikët ikin dhe nuk gjenden më.
Do të jetë më i qetë ai ekip që fillon dhe merr maksmumin nga të tijtë që në javët e para pa pritur të kalojë gjysma e fazës së parë. Gjithsesi rruga është e gjatë dhe të gjithë kanë mundësitë e veta për të dhënë më të mirën.











