Kanë kaluar dy javë nga starti dhe korçarët kanë një barazim në javën e parë me Elbasanin në fushën e tyre dhe një humbje fati në ndeshjen kundër Partizanit. Krejt ndryshe ishte situata në fillimsezonin e vitit të kaluar, kur korçarët në tre ndeshjet e para kanë marrë shtatë pikë.
Por gjithsesi krahasimet jo se kanë ndonjëherë shumë vlerë, megjithatë janë tregues se duhet shumë përqëndrim. Vertet gara është e gjatë, por pikët në fund fillojnë dhe mblidhen. Në qoftë se ka një gjë që realisht të mbush me optimizëm, është loja e zhvilluar dhe në përgjithësi kanë qenë që të dyja ndeshjet të mira, pavarësisht se çfarë është marrë.
Sepse mund të kesh këto pikë, por kur nuk ke dhe lojë, atëherë është më keq në çdo drejtim. Jo se duhet të shikojmë gjithçka me pesimizëm, por duhet kujdes shumë dhe përqëndrim që në ndeshjen e radhës, kjo edhe për atë se do të ketë ndërprerje të kampionatit dhe kjo shpeshherë ka ndikim.












