Ballina Intervista Ja intervista e plote e Jani Kacit! Skënderbeun e braktisën njerëz pa...

Ja intervista e plote e Jani Kacit! Skënderbeun e braktisën njerëz pa moral, tribunat VIP të mbushura me bastexhinj

104
0
Our Sponsor

“Tani do të duket se kush e do vërtet Skënderbeun”. Kështu deklaronte legjenda e futbollit korçar, Jani Kaçi, kur KAS-i i Lozanës hodhi poshtë kërkesën e Skënderbeut për të marrë pjesë këtë edicion në Ligën e Kampioneve. Pas largimit të trajnerit Ilir Daja, i cili në fakt disa herë kishte shprehur besnikërinë e tij edhe nëse vendimi do të ishte negativ për Skënderbeun, situata u bë e nderë, pasi lojtarët më të rëndësishëm të korçarëve në sezonin e kaluar nuk janë më pjesë e ekipit.

Ali Soue iku pasi i përfundoi huazimi, Xhejms Adeniji, Enis Gavazaj dhe Suad Sahiti u shitën nga klubi, ndërsa Gledi Mici, Sabjen Lilaj dhe Tefik Osmani, pas përfundimit të kontratës, nuk preferuan të vijojnë karrierën me Skënderbeun. Nga korçarët, Lilaj ishte i pari që u largua mes polemikave, madje i kujtoi borxhet presidentit Takaj. Ndërsa Osmani, pasi priti dy muaj, vendosi të vijonte karrierën te Teuta, aty ku gjeti mikun e tij, ish-kapitenin legjendar, Bledi Shkëmbi. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, Jani Kaçi foli ekskluzivisht për situatën në Korçë, duke iu referuar edhe lëvizjeve më të fundit. Ai mendon se ata që kanë lënë në baltë Skënderbeun u ka munguar morali dhe karakteri. Sipas tij, prej vitesh futbolli në Korçë është i pabesueshëm, por tifozët nuk duan që ta kuptojnë këtë.

Our sponsor

Zoti Kaçi, pas vendimit të KAS-it deklaruat se tani do të shikohet se kush e ka dashur vërtet Skënderbeun. Trajneri dhe disa titullarë janë larguar, cili është komenti juaj?

Është momenti të flasim troç. Kur futbollistët deri pak muaj më parë trajtoheshin në Korçë me të gjitha vlerat morale, materiale dhe sportive, betoheshin për Skënderbeun se do të ishin të përjetshëm. Mirëpo, pas tronditjes që pësoi klubi, të gjithë e harruan atë patriotizmin e madh. Secili shkoi sipas interesave të veta. Në sport karakteri dhe morali janë gjithçka, por këtu te ne këto nuk ekzistojnë. Të gjithë e pranojnë se punojnë për të marrë lekë, por te Skënderbeu nuk ishte problemi se këtyre që u larguan u mungonte paraja.

Cili ishte problemi?

Ata treguan që iu ka munguar morali dhe karakteri për të qenë të besueshëm para Korçës. Në përgjithësi, futbollistët nuk kanë nivel shoqëror dhe kulturor të lartë. Gjithmonë ne si ish-lojtarë kemi dalë të zhgënjyer nga ky futboll i pabesueshëm. E kam thënë edhe më parë. Në Korçë u investua, por mungonte karakteri dhe morali. Edhe lojtarët donin që ndeshjet t’i merrnin në tavolinë.

I referoheni faktit që klubi u dënua për trukime?

Nuk kemi pse ta mohojmë që në vitet e para Skënderbeu i mori ndeshjet në tavolinë me ndihmën e pushtetit. Realiteti në Korçë është shumë i dhimbshëm. Unë i di të gjitha çfarë kanë ndodhur, por për çfarë të flas kur këtu as institucionet nuk janë më të besueshme?!.

Gjithsesi, lojtarët do të shikojnë karrierën e tyre dhe ndoshta nuk është momenti për të paragjykuar zgjedhjet që kanë bërë, pasi janë profesionistë…?

Unë isha më se i bindur që do të ndodhte kështu, jo vetëm me Osmanin. Madje, mund të them se edhe ndonjë lojtar që ka mbetur te Skënderbeu nuk ka gjetur mundësi në skuadra të tjera, prandaj dhe ka qëndruar në Korçë. Megjithatë, këta që mbetën nuk dua që t’i paragjykoj. Kam 55 vite radhazi që jam i pashkëputur nga futbolli dhe i di të mirat e të këqijat e këtij sporti. E njoh karakterin e futbollit shqiptar si në rang klubesh dhe kombëtaresh. Na mungon shumë karakteri. Edhe kur kemi arritur gjëra të mëdha, menjëherë janë prishur shpejt. Mungesa e moralit ka të bëjë shumë në sport. Jo gjithçka varet nga paraja. Nuk prishet puna për pesë lekë më shumë apo më pak. Ka edhe shembuj pozitiv, me lojtarë që kanë pranuar të qëndrojnë, ndoshta edhe me më pak para, por për dinjitet.

Çfarë ju zhgënjen më shumë në këtë realitet që, sipas jush, është i dhimbshëm?

Servilizmi ndaj presidentëve të klubeve ka arritur kulmin. Ndiej neveri kur shoh në emisionet sportive që analistë, trajnerë, lojtarë apo gazetarë të ndryshëm mburrin presidentët e klubeve, të cilët nuk janë asgjë më shumë, por disa rrugaçë. Dalin trajnerë dhe ekspozojnë veten, duke thënë ndonjë fjalë të bukur për presidentët, që ata t’i marrin më pas në ekip. Mirëpo, shikoni çfarë ndodh. Kur “X” president i merr në skuadër, ata më pas bëhen bastardë, pasi përdoren në mënyrën më të turpshme. Trajnerët janë katandisur në Shqipëri deri në atë pikë, që presidentët i ofendojnë edhe nga gruaja e nëna dhe ata qëndrojnë si legenë në punë. Jemi në një situatë ku stërvitjen nuk ua imponon dot lojtarëve, sepse vendosin ata dhe jo trajneri. Klanet mbizotërojnë, sepse futbollistët nuk qëndrojnë dot me këmbët e tyre. Dhe kur vjen puna, Skënderbeun e kanë shitur vetëm këta të brendshmit.

Ju mendoni se dënimi nga UEFA ka qenë i merituar?

Më takojnë shumë njerëz dhe më thonë për ato që kanë dëgjuar lidhur me bëmat e klubit ndër vite. E dini se çfarë u them? Kur vjen puna për të protestuar, dilni në demonstratë dhe mbështesni klubin. Dalin në protestë për Skënderbeun, në një kohë që klubi është dënuar për trukime. Tifozëria nuk është ajo që ka qenë, tani po bëhet pjesa më e keqe, jo vetëm në Korçë, por edhe në disa klube të tjera. Në tribunat qendrore në Shqipëri qëndrojnë bastexhinj, jo ish-futbollistë të shquar apo figura të sportit.

Megjithatë, klubi nuk është vetëm i presidentit. Çfarë roli mendoni se ka Bashkia e Korçës?

Po ju them një rast. Një ditë takova kryebashkiakun dhe më pyeti: Jani, si po shkojnë punët me sportin? Unë jam trajner i Skënderbeut U-19. I thashë që shkojnë si mos më keq. Ka një statut klubi që nuk zbatohet që nga ty i pari (i referohet kryebashkiakut). Emërimet këtu bëhen personale, duke shkelur statutin. Ne nuk po arrijmë dot as kohën e Enverit, që i kishte strukturat e ngritura. Tani jemi fare pa struktura. Më vjen të qesh kur dëgjoj emisionet sportive që thonë se Skënderbeu është klub i mirorganizuar.

Kjo nuk është e vërtetë sipas jush?

I ftoj të vijnë në Korçë dhe të shikojnë se ku zhvishen lojtarët e ekipeve të moshave dhe të kuptojnë se ku është organizimi i klubit. Fëmijët nuk kanë as ujë të pinë dhe të lahen. Zhvishen skuadrat e moshave në vitin 2018 në rrugë, ky është organizimi model i Skënderbeut?! I thashë kryetarit të bashkisë, që edhe unë po vjedh. U habit. Po, po vjedh, sepse kam kërkuar një kontratë që të vazhdoj punën, duke marrë rrogën nga bashkia, por kjo e fundit më ka thënë merrua lekët vetë fëmijëve dhe bëj si të duash. Këtu punohet secili për vete. Ja kjo është situata reale në Korçë, por jo vetëm.

Dhene per Panorama Sport

Artikulli paraprakDrama e mesfushorit të Skënderbeut, 4 sezone i dëmtuar: Ndihem borxhli ndaj klubit, tani jam gati!
Artikulli tjetërAkuzat e Jani Kaçit, përgjigjet Xhambazi: Iku koha e moralit, ja pse protestova pas dënimit

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu