Fillon zyrtarisht aventura e Dejvi Bregut në radhët e Skënderbeut. Futbollist i talentuar vlonjat kishte firmosur që në janar për bardhekuqtë, por u bë vetëm sot pjesë e tyre, pasi mbylli sezonin dhe mori pjesë në Ligën e Europës me Luftëtarin.
Në fjalët e tij të para si futbollist i Skënderbeut, mesfushori ofensiv vlonjat shprehu gatishmërinë dhe dëshirën e tij për të lënë shenjë me fanellën e kësaj skuadre.
“Duke parë që është klubi më i madh në Shqipëri, nuk ka nevojë të mendohesha dy herë. Pavarësisht se unë kam firmosur që në janar të 2018, ndoshta erdhi pak vonë kjo ardhja ime në Korçë, por që më mirë vonë sesa kurrë. Skënderbeu është një emër i madh, padrejtësisht u la jashtë nga Kupat e Europës.
Përderisa klubi ka besuar te aftësitë e mia, mendoj se do ia dal këtu. Mendoj se do ta bëjnë edhe afrime të tjera që besoj se do ta ndihmojnë gjatë rrugës në kampionat Ky është ekipi më i mirë në Shqipëri, objektivi minimal i Skënderbeut është padyshim që të dalë kampion, kjo nuk është fare për t’u diskutuar.
Tifozëve ju premtoj jo 100 por 200,. Nuk kam nevojë të motivohem më shumë pasi vetë një klub si Skënderbeu të motivon dhe unë jam gati për këtë sfidë”, ishin fjalët e Bregut në konferencën e tij të parë për shtyp si futbollist i korçarëve.