Skënderbeu i lau duart me elitën. Pas 13 vitesh do të luajnë në Kategorinë e Parë, e megjithatë sezoni i fundit nuk mund të quhet totalisht i dështuar.
Verdikti ishte vërtet dramatik, por nuk mund të mohohet se skuadrës nuk i ka munguar cilësia në organikë. Kjo kuptohet fare mirë edhe nga interesi i vazhdueshëm i klubeve për lojtarë që mbyllën kampionatin në Korçë. Nuk janë të paktë ata që kanë rënë “pre” e merkatos së verës, që pritet të bëhet e nxehtë te bardhekuqtë.
MARA – Rasti i parë është ai i Uerdi Marës. Fantazisti duket se është një nga lojtarët që ka rënë në sy të klubeve të tjera shqiptare, që do të kërkojnë shërbimet e tij. Vllaznia është në top-listë.
Shkodranët që sapo kanë fituar Kupën e Shqipërisë, janë hedhur në sulm për të siguruar shërbimet e 23-vjeçarit.
Kjo nuk është hera e parë që e tentojnë, pasi edhe një sezon më parë e kërkuan. E megjithatë, asokohe nuk ia dolën dhe Mara vendosi që të rinovojë me Skënderbeun.
Me një kontratë aktive me korçarët, tashmë skuadra e Mirel Joses apo kujtdo ekipi që do të kërkojë shërbimet e lojtarit, i lind detyrimi për të paguar kartonin e tij.
Vetë Takaj në deklaratën e dhënë për “Panorama Sport” një ditë më parë, ka qenë i prerë kur tha se të gjithë lojtarët që janë në kontratë do të jenë pjesë e Skënderbeut.
Kjo vlen edhe për Marën dhe kartonit të tij drejtuesit i kanë vënë një çmim prej 200 mijë eurosh.
Veç Vllaznisë, edhe Kukësi ka shfaqur interes për lojtarin nga Maliqi, kjo edhe për faktin se Gega e kishte futbollistin një nga të preferuarit e tij në juglindje, kur drejtonte Skënderbeun.
LARGIMET – Edhe për lojtarë të tjerë që kanë spikatur me Skënderbeun sezonin që lamë pas, kanë vërshuar menjëherë ofertat.
Bëhet fjalë për Vangjel Zguron, Dajan Shehin dhe Agnaldo Moraesh që ndryshe nga Mara kanë mbyllur bashkëpunimin me korçarët.
Atyre u ka skaduar kontrata dhe tashmë si lojtarë të lirë kanë nisur bisedimet me klube të tjera shqiptare.