Ballina Intervista Shehi bën autokritikë: Dita më e errët, nuk ishim gjëkundi!

Shehi bën autokritikë: Dita më e errët, nuk ishim gjëkundi!

144
0
Our Sponsor

“Gardiani” dhe kapiteni i Skënderbeut analizon humbjen ndaj Luftëtarit duke kritikuar padyshim lojën e gjithë ekipit, por thotë që nuk ka vend për alarm…

Leonardo Trebicka

“T’i vëmë gishtin kokës që ndeshje të tilla të mos përsëriten më”. Kështu është shprehur në një fjali të tijën ditën e djeshme, një ditë pas humbjes më të fundit turpëruese të Skënderbeut në Gjirokastër, kapiteni i bardhekuqve, Orges Shehi. Në fakt, thuajse të gjithë lojtarët bardhekuq e kanë pasur më shumë se të vështirë që të flisnin për mediet ditën e djeshme, pasi e kanë parë edhe vetë se ai Skënderbe ndaj Luftëtarit nuk kishte lidhje me Skënderbeun që pamë në 2017-ën. Midis të tjera Shehi do të thoshte edhe këto fjalë: “Nuk di nga t’ia nis dhe ç’farë të them së pari, pasi ishte një ndeshje që duhet ta harrojmë sa më parë. Në Gjirokastër nuk ishim në ditën tonë më të mirë dhe këtë e pranojmë të gjithë. Nuk ishim kurrkund në fushën e lojës dhe nga ajo që dhamë vetëm skuadër nuk ishim.” Këto tregojnë qartë që jo vetëm Shehi, por të gjithë te Skënderbeu e pranojnë që ishin në një ditë të herët. 24 orë pas humbjes së parë për vitin 2018-të, Orges Shehi ka analizuar gjerë e gjatë këtë humbje, madje ka folur me nota kritike për të gjithë lojtarët pa përjashtim. Ja intervista e plotë për “Sport Ekspres” e kapitenit.

Our sponsor

Shehi, një start me humbje që në fakt nuk pritej për Skënderbeun. Ç’farë ndodhi në Gjirokastër?

Nuk di nga t’ia nis dhe çfarë të them së pari, pasi ishte një ndeshje që duhet ta harrojmë sa më parë. Në Gjirokastër nuk ishim në ditën tonë më të mirë dhe këtë e pranojmë të gjithë. Nuk ishim kurrkund në fushën e lojës dhe nga ajo që u pa, vetëm skuadër nuk ishim. E kam shumë të vështirë të flas për këtë humbje që sapo pësuam, pasi të gjithë jemi fajtorë dhe kjo ndeshje nuk duhet të përsëritet më.

Keni pësuar dy gola në këtë takim, ndërkohë që nuk keni marrë qoftë edhe një pikë. E kishit menduar kaq të vështirë këtë 90 minutësh?

Nuk meritonim të merrnin asgjë ndaj Luftëtarit dhe humbja ishte rezultati i drejtë që pësuam. Erdhi si pasojë e paraqitjes sonë shumë të dobët. Lojtarët nuk u lidhën në asnjë moment në fushën e lojës, madje po t’i shikoje luanin veç e veç. Në fund të fundit të na bëhet mësim dhe të ulemi sa më parë me “këmbë në tokë”.

Në disa momente jeni parë më shumë se nervoz me grupin e lojtarëve. Përse dhe çfarë nuk shkoi?

Në ndeshje të tilla kur nuk e sheh skuadrën në ato nivele që ne jemi mësuar të jemi dhe duke parë kundërshtarin që dilte aq kollaj në gjysmëfushën tonë, sigurisht që do të kishte edhe nervozizëm, gjë që e shfaqa edhe vetë, por ishte thjesht e momentit. Të gjithë e panë që lojtarët ishin jashtë detyrave dhe nuk ishim aspak të përqendruar. Me pak fjalë fajin e patëm të gjithë.[the_ad id=”44″]

Duhet harruar kjo humbje, apo duhet qëndruar për të mos ndodhur më gjëra të tilla?

Ndeshje të tjera na presin përpara. Kemi motiv, pasi kemi ndeshje të tjera përpara, madje fiks pas një jave do të luajmë sërish në Shkodër për Superligën dhe duhet të reagojmë. Ta harrojmë atë që sapo ndodhi, por jo ta harrojmë në atë masë sa ta quajmë thjesht kalimtare. Presim edhe analizën dhe unë besoj shumë që nuk do të ndodhë më si kjo paraqitje.

Në fakt, shumë e lodhur është parë skuadra, madje në disa momente lojtarët nuk vraponin as në fushë?

Nuk mendoj që ishim të lodhur fizikisht. Ndoshta edhe orari ndikoi pasi u luajt në orët e mesditës, ndoshta ka edhe arsye të tjera, por unë tani nuk di të them arsyet e humbjes. Me pak fjalë thjesht një ditë e herrët.

Po trajneri Ilir Daja dhe presidenti Takaj çfarë ju thanë për humbjen?

Nuk ishte mirë që trajneri dhe presidenti të flasin menjëherë pas humbjes dhe për këtë edhe trajneri ka vepruar mirë që nuk na ka thënë asnjë gjë deri tani. Sigurisht që do të ketë edhe ai fjalët e veta për të na thënë, por pas humbjes nuk është momenti i duhur për diçka të tillë. Ka ditë të tjera për ta bërë këtë.

Diferenca me vendin e dytë nuk është më 9 pikë, por 6 pikë. Ky është një “kërcënim” që po ju bëhet që në fillim të 2018-ës?

Kur ndodh një humbje e tillë siç e pësuam ne sigurisht që rivalët përfitojnë, ashtu si edhe ne përfituam në fundin e vitit të kaluar dhe u shkëputëm me 9 pikë.

Flamurtari dhe Kukësi fituan. Kjo do të thotë që…

Përfituan nga humbja jonë dhe asgjë më shumë se kaq.

Në mesjavë ndeshja e Kupës. Do të jetë një autokritikë, apo thjesht një moment që do ta shfrytëzoni duke menduar për ndeshjen pasardhëse të Superligës?

Në këtë ndeshje të Kupës shpresoj që të rikthehemi në ritmin tonë, atje ku e lamë edhe vitin 2017-të. Të përgatitemi siç duhet për të bërë sa më parë atë paraqitje që janë mësuar të gjithë kur na shikojnë në fushë.

Në fundjavën e ardhshme një tjetër transfertë e vështirë në Shkodër ndaj Vllaznisë. Do të shikojmë një Skënderbe ndryshe?

Nuk ka asnjë dyshim që do të shikoni një Skënderbe ndryshe, sa i përket gjithë atyre gabimeve që ne bëmë në ndeshjen që u mbyll. Nuk na lejohen më hapa të gabuara dhe ju premtoj që do të shikoni Skënderbeun që keni parë më parë.

Titulli do të jetë i vështirë, pasi në dy humbje që keni pësuar ju kanë mundur Laçi dhe Luftëtari, ekipe që në fakt nuk kanë objektivin që ka Skënderbeu?

Nëse do të rikthehemi menjëherë atje ku ishim, pra në pjesën e parë të Superligës, sigurisht që nuk na kërcënohet aspak titulli kampion. Të shohim vetëm veten tonë, sepse Skënderbeu rivalin e vetëm që ka është Skënderbeu dhe asnjë skuadër tjetër.

Së fundi, duhet ruajtur qetësia?

Normalisht, nuk ka vend për alarm. Por, ka vend që t’i vëmë gishtin kokës, sepse edhe humbje të tilla ndodhin, por nuk duhet të përsëriten më.

Artikulli paraprakSkënderbeu – Kukësi, biletat në shitje
Artikulli tjetërIlir Daja qetësohet në prag të Kupës, tre titullarë rikthehen ndaj Teutës

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu