Skënderbeu vijon përgatitjet për duelin e javës së nëntë të Superiores, që korçarët do të zhvillojnë në shtëpi ndaj Vllaznisë. Edhe në kampin bardhekuq ka qenë prezente jehona e fitores madhështore të Kombëtares ndaj Çekisë, që bëri krenarë të gjithë shqiptarët pa përjashtim anembanë botës.
Ndërkohë, në seancën e fundit stërvitore vihej re mungesa e dy futbollistëve. Bëhet fjalë për Rei Pecanin dhe Ardit Nikajn, të cilët janë të angazhuar me ekipin Kombëtar U-21 të drejtuar nga Alban Bushi. Ndërkohë, gjithë pjesa tjetër e grupit ishte në dispozicion të trajnerit Gvozdenoviç. Interes të madh nga ana e stafit, por edhe tifozëve të pranishëm në shkallët e tribunës së aneksit “Skënderbeu”, ka pasur për Ivan Xhantu, i cili është afrimi më i fundit te korçarët, që duket se ka lënë mbresa të mira në këto ditë të para me skuadrën.
Prania e Xhantu së bashku me Uçe Sebastian kanë bërë me “dhimbje koke” trajnerin Gvozdenoviç për sa i përket zgjedhjeve në repartin ofensiv. Gjasat janë të mëdha që tekniku serb të bëjë “rokadë” në ndeshjet në vijim. Tashmë duket se ka një balotazh Nikaj-Rashica dhe Sebastian-Xhantu, për dy vende titullari. Katër zgjedhje luksi për “ujqërit e dëborës”, ndërkohë që topi tashmë i ka kaluar Gvozdenoviçit, për të vënë pikën mbi “i”.
Nga korçarët është kërkuar një sulmues qendre që të godasë portën dhe të jetë rezultativ, teksa shpresohet shumë që kamerunasi Ivan Xhantu të jetë ideali për të bërë bomberin. Një opsion i mirë prove për sa u përket zgjedhjeve definitive për sulmin e Skënderbeut.
Para duelit me Vllazninë, pritet të luhet edhe ndeshja e Kupës së Shqipërisë ndaj Delvinës, që është planifikuar të zhvillohet në Korçë më datën 18 tetor. Në këtë duel tekniku i skuadrës korçare pritet të kristalizojë edhe idetë për sa i përket edhe formacionit ndaj Vllaznisë.
LLazi Saro