Humbja me Tiranën përjetohet si tragjedi, por Skënderbeu ka gati planin B
Humbja e së dielës në Korçë ndaj Tiranës duket se në njëfarë mënyre ishte fundi i një shprese të gjatë për të arritur mbijetesën nga Skënderbeu. Edhe pse matematika i mban ende në lojë shpresat e korçarëve, pas këtij rezultati janë venitur ndjeshëm
[the_ad_placement id=”before-content”]
arkiva
Diçka e tillë u pa menjëherë pas përfundimit të takimit. Heshtja kishte pllakosur në dhomat e zhveshjes, ndërsa asnjë fjalë nuk ishte thënë nga askush pas këtij takimi. Burime në klub bëjnë me dije se edhe vetë trajneri Gega, por edhe kapiteni i skuadrës në këtë takim, Moraesh, nuk kanë pasur as guximin dhe as dëshirën për të komunikuar me pjesën tjetër të ekipit duke lënë që gjithçka të kalojë lehtë. Edhe vetë presidenti, i cili i ndjerë i braktisur nga të gjithë në këtë moment, është larguar pa lënë asnjë koment apo shenjë në klubin bardhekuq.
E gjithë kjo si pasojë e rezultatit të ndeshjes së fundit, që e bën një mision të pamundur arritjen e mbijetesës, të cilën tashmë në Korçë askush nuk e beson veç matematikës. Ndoshta të vetmit që kanë pasur komente kanë qenë tifozët, të cilët kanë derdhur gjithë vrerin te faqja e klubit për këtë fund cikli, që askush nuk e mendonte se do të ishte kështu.
PLANI B – Ndoshta edhe ata që nuk e kishin çuar kurrë në mend rënien në Kategorinë e Parë tashmë kanë nisur ta shohin si një ngjarje reale për të marrë masat e duhura. Edhe pse plagët e dhimbjes ende nuk janë mbyllur dhe rënia një kategori më poshtë nuk është zyrtarizuar ende, por duket më se e pritshme, masat e marra për rikthimin janë ato që kanë më shumë rëndësi. Në kushte të tilla, bardhekuqtë e Skënderbeut duket se kanë bërë llogari për gjithçka.
Burime të konfirmuara në klub bëjnë me dije se drejtuesit e Skënderbeut janë të përgatitur për çdo skenar të mundshëm. Edhe nëse korçarët bien nga kategoria plani i klubit duket se është i ndërtuar. Në kushte të tilla gjithnjë duke iu referuar burimeve, numri një i klubit bardhekuq është i vendosur se do të mbajë në ekip të gjithë lojtarët që kanë një kontratë afatgjatë me Skënderbeun. Një lëvizje kjo për të pasur të sigurt boshtin e ekipit që do të punojë sezonin e ardhshëm për të rikthyer Skënderbeun në elitë. Pak a shumë duket sikur klubi ka idetë e qarta edhe për skenarin më të keq, por do të tentohet deri në fund të shpëtojnë nga ajo që do të ishte për Skënderbeun mbyllja më e keqe e një cikli të suksesshëm.