Sulm shterpë, Skënderbeu për rekord/ Korçarët po kalojnë momentin më të errët të 12 viteve të fundit
Skënderbeu po kalon momentin më të errët të 12 viteve të fundit për sa i përket pozicionit dhe paraqitjes sezonale. Prej kohësh korçarët ndodhen në vendin e fundit dhe tashmë rënia në një kategori më poshtë pritet që të zyrtarizohet shumë shpejt. Rezultatet po e tregojnë diçka të tillë.
Skënderbeu mundi të marrë vetëm shtatë pikë në 17 takime të luajtura mes të cilave, dhjetë humbje dhe shtatë barazime. Dy faza të çuara dëm për korçarët, që nuk kanë fituar një takim të vetëm dhe mbi të gjitha kanë humbur përballjet direkte me të gjithë kundërshtarët, që duhet të luftonin për mbijetesën. Nuk dihet se kur më parë Skënderbeu ka mbetur kaq gjatë pa marrë një trepikësh, por ky sezon mund të quhet me plot gojën, rekordi negativ për korçarët në elitën e futbollit tonë.
SULMI NËN AKUZË – Një repart i tërë është nën akuzë për një gjendje të tillë dhe pritet që këtu të jetë edhe ndryshimi i parë i Skënderbeut për sezonin e ri. Korçarët nuk arrijnë të gjejnë dot rrugën e rrjetës që prej barazimit të shënuar në shtëpi përballë Kukësit, ndeshje e mbyllur me shifrat 1-1.
Pas këtij takimi janë plot pesë ndeshje shterpësie për bardhekuqtë. Sulmuesit janë në bankën e të akuzuarve, pasi edhe në ndeshjen ndaj Kukësit kanë “agjëruar” pasi goli i vetëm për korçarët është shënuar nga Zguro. Për të gjetur golin e fundit të një sulmuesi, duhet të shkojmë më larg në kohë. Pikërisht një fazë më prapa, në ndeshjen e barazuar ndaj Vllaznisë në shtëpi me rezultatin 2-2. Në shkurt të këtij viti, shënonte Nikaj dhe ky është goli i fundit i sulmuesve për Skënderbeun.