Leonard Trebicka
Për herë të parë, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, nuk ka dashur të komentojë shumë në lidhje me shortin që ka mësuar dje, teksa skuadra e tij do të ketë përballë Dinamon e Zagrebit në turin e play-off-it të Championsit. Por megjithatë ai ka bërë një koment në faqen zyrtare të UEFA-s, atje ku ka deklaruar se Dinamo e Zagrebit është një kundërshtar i fortë, por jo i pakalueshëm. Nga ana tjetër për “Sport Ekspres”, Josa ka thënë vetëm dy fjali për përballjet me Dinamon e Zagrebit, që nisin të martën e 18 gushtit në ora 20:45 në “Elbasan Arena”. “Goglat zgjodhën Dinamon e Zagrebit dhe kaq dhe mund të shtoj. Nuk dua të komentoj tani shortin, pasi mendjen e ka te Superkupa e 12 gushtit, kundër Laçit. Kemi një ndeshje në katër ditë në vazhdim dhe mendoj se është e udhës që të shohim vetëm takimin e radhës,” – deklaroi shkurtimisht Josa dje në orët e pasdites. Në short për Skënderbeun ka qenë i pranishëm menaxheri Gerhard Takaj. Sipas trajnerit Josa, Dinamo e Zagrebit është një kundërshtar i vështirë dhe me eksperiencë të madhe. “Në këtë fazë të turneut çdo skuadër është e aftë të konkurrojë kundër të gjithë kundërshtarëve. Ne do të jemi gati”.
Përgatitjet – Dje në mesditë, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, i ka thërritur të gjithë në resortin “Tropikal” duke filluar në këtë mënyrë përgatitjet për ndeshjen e radhës. Por sipas kalendarit përgatitjet e momentit do të jenë për Superkupën dhe sigurisht që Josa nuk ka ndërmend që “lëshojë” Superkupën për Champions-in. Seanca e radhës stërvitore ka qenë dje në orën 18:30 në fushën sportive të resortit “Tropikal”, ndërkohë që deri të mërkurën skuadra do të qëndrojë e grumbulluar.