Ballina Intervista Josa i vendosur: Superkupën e dua në Korçë!

Josa i vendosur: Superkupën e dua në Korçë!

49
0
Our Sponsor

 

Trajneri i kampionëve vlerëson Laçin dhe kërkon nga të tijtë trofeun e parë sezonal: “Do të ketë rotacion, por për mua janë të gjithë në një niveli”

Leonard TREBICKA

Skënderbeu luan sot në mbrëmje sfidën kundër Laçit, të vlefshme për Superkupën e Shqipërisë. Kampionët përballë fituesve të Kupës së Shqipërisë do të diskutojnë trofeun e parë të sezonit në stadiumin “Qemal Stafa”, në orën 20:00, një sfidë e cila për korçarët i paraprin takimit ndaj Dinamos së Zagrebit. Por në intervistën e tij në vigjilje të ndeshjes ndaj kurbinasve, trajneri Mirel Josa kërkon që këto dy “tema” të jenë të ndara nga njëra-tjetra. Kjo sipas numrit 1 të stolit të kampionëve, me arsyetimin se Skënderbeu vlerëson çdo kundërshtar njëlloj dhe se Superkupa është një trofe i rëndësishëm, që duhet tentuar të “dërgohet” në Korçë. “Jemi përgatitur gjatë këtyre ditëve me mendjen vetëm te kjo sfidë. Luhet për një trofe të rëndësishëm të futbollit kombëtar, një fakt që e bën përballjen ndaj Laçit shumë të rëndësishme. Duam me çdo kusht ta nisim këtë sezon të ri me një trofe dhe Superkupa është një mundësi e mirë për ta realizuar një gjë të tillë. Respektojmë çdo rival dhe luajmë për të fituar në çdo ndeshje, çfarëdo kompeticioni të jetë ai. Skënderbeu e ka vlerësuar edhe takimin kundër Laçit, me të njëjtin seriozitet si ndaj çdo kundërshtari. Jemi gjithnjë të etur për trofe dhe duam ta çojmë Superkupën në Korçë edhe këtë sezon”, pohon trajneri Josa, i cili gjithashtu mohon faktin se skuadra e tij mund të ketë një përshtatje të ngadaltë në sfidën ndaj kurbinasve, pas ndeshjeve të zhvilluara në Europë. “Nuk ka pse të ndodhë një gjë e tillë. Nuk ka arsye. Skënderbeu edhe pse ka luajtur gjithnjë në këto vitet e fundit në Europë, kampionatin ka arritur ta fitojë. Nuk ka shumë rëndësi se si nis edicioni futbollistik, pasi për ne rëndësi ka fundi i tij, i cili ka qenë gjithnjë i suksesshëm. Nuk është e thënë se ndryshimi që kanë kompeticionet nga njëri-tjetri të kthehen në problem. Nëse luan me të njëjtën dëshirë çdo ndeshje të radhës arrin edhe te suksesi. Kështu do të jetë edhe takimi i nesërm (sotëm) ndaj Laçit, i cili ka një skuadër kompakte dhe kjo na motivon edhe më shumë për të dhënë maksimumin”, deklaron numri 1 i stolit të Skënderbeut. Gjatë kësaj periudhe, kampionët kanë qenë të përqendruar te Kupat e Europës, por duket se Mirel Josa i ka bërë llogaritë edhe për mënyrën e lojës me të cilën do të prezantohen kurbinasit nesër në “Qemal Stafa”: “Nuk kam pasur shumë mundësi për të parë se çfarë merkatoje ka bërë Laçi në këtë periudhë. Por fakti që prej vitesh ka lojtarë që aktivizohen së bashku dhe stafi teknik është i njëjti, do të thotë se implementojnë pothuajse të njëjtën lojë me atë që kemi parë gjatë përballjeve të fundit”, shprehet trajneri kryeqytetas i skuadrës korçare. Në fund, kreu i stolit të kampionëve pranon se, në finalen e Superkupës do të ketë rotacion në formacionin që do të hedhë në fushën e lojës, edhe pse ai vetë nuk preferon ta konsiderojë si të tillë: “Skënderbeu ka një organikë prej 22 futbollistësh, të cilët meritojnë shansin për të treguar veten. Për këtë arsye preferoj që të mos e quaj një rotacion të mirëfilltë, faktin që do të luajnë ata elementë që janë aktivizuar më pak në ndeshjet e fundit që kemi zhvilluar”, përfundon trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa.

Our sponsor
Artikulli paraprakJashanica: Nuk jemi ngopur ende me trofe!
Artikulli tjetërJa si do të luajnë kampionët!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu