Kosovari deklaron një ditë përpara kurbinasve se Skënderbeu e nis me trofe këtë sezon të ri, pasi skuadra është në rrugë të mbarë dhe nuk ka kush ta ndalë
“Do të jetë një ndeshje e vështirë, ajo e mbrëmjes së nesërme (sotme) duke marrë parasysh që përballë kemi Laçin, që ka një ekip shumë të fortë. Por, ne jemi në rrugë të mbarë dhe do të kërkojmë ta fillojmë këtë sezon me trofe”. Kështu e ka nisur prononcimin e tij të djeshëm kosovari, Bajram Jashanica, i cili është shprehur më shumë se i bindur
-Nesër (sot) luhet finalja e Superkupës ndaj Laçit. E vështirë për Skënderbeun?
-Po, do të jetë një ndeshje e vështirë, duke marrë parasysh që kurbinasit kanë një ekip shumë të fortë. Por, Skënderbeu kërkon ta fillojë këtë sezon me trofe. Kjo do të na shtonte më shumë dëshirën për të vijuar rrugën drejt sukseseve.
-Skënderbeu e ka fituar dy vite radhazi këtë trofe. Mos ndoshta është “ngopur” dhe e ka mendjen te ndeshja e Champions-it ndaj Dinamos së Zagrebit?
-Nuk është e thënë që të mos e fitosh edhe tri herë! Nuk jemi ngopur ende me tituj dhe do të synojmë që ta marrim edhe këtë trofe të radhës. Në mendje kemi vetëm Laçin. Pasi të mbyllim këtë ndeshje do të kemi kohë të mendojmë për Dinamon e Zagrebit.
-Flitet që sot (nesër) do të jenë në fushë shumë lojtarë që kanë luajtur pak te Skënderbeu deri tani. Kjo për ju do të thotë…?
-Nuk e di, pasi kësaj pyetjeje i përgjigjet më mirë trajneri Mirel Josa. Personalisht jam gati të jap maksimumin në çdo ndeshje që më jepet mundësia të aktivizohem. Nuk ka shumë rëndësi se kush luan. E rëndësishme është që ta çojmë në Korçë edhe këtë trofe.
-Pas mungesës së Osmanit dhe Arapit, trajneri Josa ju ka besuar juve dhe Radasit qendrën e mbrojtjes. Si ndiheni?
-Kam pritur një kohë të gjatë, ndërkohë që deri tani besoj se jemi përshtatur më së miri me Radasin në qendër të repartit defensiv. Në këto ndeshje që kam luajtur kam treguar formë të mirë dhe do të vazhdoj të punoj edhe më shumë dhe lutem çdo ditë që të mos kem probleme dëmtimi.
-Ndeshja e play-off-it ndaj Dinamos së Zagrebit, sa e vështirë është në këndvështrimin tuaj?
-E thashë edhe më sipër se për momentin jemi duke menduar vetëm për Laçin. Ta mbyllim Superkupën me sukses pastaj të mendojmë për Dinamon e Zagrebit, që është normalisht një ndeshje e vështirë.
-Skënderbeu ka siguruar grupet e Europa League. Ky është suksesi më i madh në karrierën tuaj si futbollist?
-Po, absolutisht që po. Megjithatë, nuk do të ndalemi me kaq. Do të synojmë grupet e Ligës së Kampioneve. Jemi një ekip shumë i fortë dhe përse të mos e realizojmë edhe këtë objektiv madhor.
-E kishit menduar që një ditë do të luanit me një skuadër kaq larg në Europë?
-Kur isha në Kosovë mendoja gjithnjë nëse do të arrija të luaja në Europë dhe ja dhe kjo ëndërr sot më është bërë realitet me Skënderbeun. Por, ëndrra më e madhe në këtë moment, është arritja në grupet e Champions-it.
-A e ka “frikë” Skënderbeu, Dinamon e Zagrebit dhe sa e njihni kundërshtarin?
-Nuk mund të them se e kemi frikë. Por, që kundërshtari ynë ka ekip më të mirë dhe me traditë në Europë, këtë do ta pranoja. E dimë shumë mirë që ndaj Dinamos do të jetë e vështirë, por them se do ia dalim.
-Në fakt sfida ndaj Dinamos luhet më 19 gusht. Më mirë të flasësh për Laçin apo për Ligën e Kampioneve?
-Më mirë për mua për ndeshjen e radhës. Pra për Superkupën. Do të kemi kohë të mjaftueshme që ta studiojmë kundërshtarin.
-Josa kërkon përqendrim maksimal për ndeshjen e nesërme (sotme) ndaj kurbinasve…
-Po, është më se normale. Në stërvitje jemi të gjithë të përqendruar te kjo ndeshje, sepse në fund të fundit objektivi në këtë takim është që ta fitojmë këtë trofe.
-Tifozët korçarë mungojnë nesër (sot) në “Qemal Stafa” pasi po organizohen për në “Elbasan Arena”…
-Kemi një ndër tifozëritë më të mira në Shqipëri dhe kam shumë respekt për ta. Janë lojtari numër 12-të i Skënderbeut dhe i falënderoj jashtë mase sepse meritojnë respekt të madh, ata që më pëlqen t’i quaj edhe unë ashtu siç emërtohen, “Ujqërit e dëborës”.
– Së fundi, kujt ia dedikoni këto suksese të deritanishme dhe formën e mirë që jeni duke kaluar me kampionët?
– Forma ime ka ndikuar te sukseset, por edhe shokët e mi më kanë ndihmuar shumë. Suksesin njëkohësisht ia dedikoj edhe bashkëshortes sime dhe familjes që më kanë qëndruar në çdo moment pranë.