Dy humbje për Skënderbeun, me Laçin dhe me Kukësin. Si i gjykon trajneri Mirel Josa këto rezultate?
Më vjen keq për dy humbjet, por nga njëri krah jam i pezmatuar për ndeshjen në Laç. Jo për mënyrën se si u mund skuadra, por për faktin se si u zhvillua ndeshja. Duhet të kemi parasysh se ishin shumë kushte që u mundëm në Laç. Ndërsa kundër Kukësit, ekipi reagoi mirë, por duhet të kishim bërë më shumë për goditjen e portës kundërshtare. Pres më shumë nga ekipi për sa i përket grintës, jo vetëm nga qarkullimi i topit, por edhe nga egoja që duhet të ketë ekipi në kërkimin e topit kur e ka kundërshtari.
Ju ka ndodhur si trajner të humbisni kundër nëntë lojtarëve?
Nuk është hera e parë dhe nuk më ka ndodhur vetëm mua, por u ka ndodhur shumë skuadrave të tjera. Ne duhet të ishim të përqendruar në momentin kur po shikonim se nuk po fitonim. Të paktën të merrnim një pikë, sepse po e “qajmë” edhe atë.
Është folur shumë se ka pasur një debat mes teje dhe Martins. Si është e vërteta?
Këtë gjë e sqarova edhe dy ditë më parë. Me mua nuk ka shans njeri të bëjë debat.
Sa larg titullit jeni tani pas humbjeve në Laç?
Nuk mund ta përcaktoj dot, por do të ishim më afër nëse do të kishim një pikë më tepër. Kampionati ka ndeshje të tjera. Do të mendojmë vetëm për sfidën e radhës kundër Partizanit. Pra duhet të përqendrohemi këtu, se kampionati është i hapur.
Po te Kupa a është e hapur gjithçka edhe pse jeni mundur 1-0?
Normal që do të jetë gjithçka e hapur. Duhet të jemi të kujdesshëm që të shënojmë dhe të mos pësojmë. Tani nuk e kam mendjen te ndeshja e Kupës, por te sfida kundër Partizanit. Alarm mungesash në këtë takim.
Si është realisht gjendja?
Në qoftë se ka pasur një arsye që unë jam mërzitur më shumë pas humbjes kundër Laçit ka qenë mungesat që kemi mbartur. Kjo ka qenë kryesorja, pasi mungesat më kanë pezmatuar. Do të ishim më përqendruar po të mos kishim këto mungesa.
Partizani,a është një ekip i vështirë për t’u mundur?
Partizani është një ekip i fortë dhe do të vijë në Korçë që ndeshja të shkojë në favorin e tyre. Plus kësaj është më i freskët, pasi nuk ka luajtur në mesjavë, duke pasur më shumë kohë në favor. Për ne është pozitive që ndeshja luhet të hënën.
Jeni dakord nëse themi që një hap i gabuar ju heq përfundimisht titullin?
Mendoj se do të jetë më larg.
Partizani, a vlen më shumë se tri pikë?
Partizani dhe Apolonia vlejnë gjashtë pikë. Ndërsa Partizani vlen vetëm tri pikë dhe asgjë më shumë. Shumë raste të krijuara në një ndeshje.
Pse nuk po shënon ekipi?
Nuk po shënon sepse i kemi dhënë më shumë prioritet mesit të fushës me lojtarët që kemi në dispozicion. Thjesht lojtarët që kanë qenë në krah të Martinsit, por edhe braziliani duhet të jetë shumë herë më prezent në zonën kundërshtare.
Keni thënë që golat i prisni nga gjithë lojtarët. Por sulmuesi më i aktivizuar ka shënuar vetëm 6 gola, nuk ju duken pak?
Vetë nga natyra e Martins nuk është sulmues i parë, është një lojtar që e do topin në këmbë, do që të driblojë dhe më pas të sulmojë portën. Por mos harroni që kemi edhe një sulmues nga Maqedonia që ka qenë i dëmtuar. Nëse Stojkov do të ishte mirë fizikisht do të luanim edhe me dy sulmues duke qenë më agresiv.
Fakti që nuk keni një sulmues pykë përveç Sefës, do të thotë se keni qenë të detyruar për të bërë këto zgjedhje?
Kur Martins luante me Olainkën kishim atë sulmues të parë. Por nuk do të thotë që Martins të mos e bëjë sulmuesin e parë.
Te gjithe ate shpresojme po ju lutemi jo ato zevendesime anonim si ne ndeshja me Lacin !!!!!