Skënderbeu u ndal në fushën e vet nga Laçi me atë barazim 1-1, që e mban në vend të parë vetëm falë golaverazhit më të mirë se Flamurtari. Trajneri Orges Shehi ka tani mundësinë të punojë më shumë për të përgatitur transfertën e Vlorës, pasi kampionati ndërpritet nga ndeshjet e Kombëtares.
Korçarët kanë humbur për ndeshjen e Vlorës mbrojtësin e majtë, Leonit Abazin, që u ndëshkua me karton të kuq ndaj Laçit. Prapavija korçare ndryshon detyrimisht ndaj Flamurtarit, ku Fidan Aliti do të kalojë në të majtë, pasi e mbulon edhe këtë rol. Deri tani ai është aktivizuar në qendër bashkë me kapitenin Marko Radas.
Kroati do të ketë një partner të ri në ndeshjen e radhës dhe trajneri Shehi do të zgjedhë mes Kaba Sambou dhe Lulajt. Shanset më të mëdha i ka lojtari afrikan, i ardhur te korçarët sezonin që shkoi, por që nuk ka pasur hapësirat e nevojshme. Tani ka shansin e artë të luajë titullar dhe të tregojë vlerat e tij. Kurse Lulaj mund të aktivizohet edhe në mesfushë dhe mendohet që ta nisë nga stoli ndeshjen e javës së 4-t.
Pjesa tjetër e skuadrës nuk ndryshon, me treshen Dita-Muzaka-Demte në mesfushë dhe Bregun, Gripshin e Karasniqin në sulm. Ndoshtë në Vlorë do të ketë më shumë minuta për Realdo Filin, fierakun që u bashkua me ekipin korçar disa ditë më parë. Skënderbeu nuk arriti të finalizonte ndonjë blerje të rëndësishme ditët e fundit, ku u kërkuan me ngulm përforcime për mesfushën, por ende ka një mundësi por te veshtire për rikthimin e brazilianit Eskuerdinja.