Fitorja e fundit ndaj Kastriotit ka ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në Korçë, teksa tashmë bardhekuqtë shohin më me shpresë arritjen e mbijetesës edhe pse gjithçka është tepër e vështirë.
Fitorja pas pesë muajsh ka rritur shpresat e korçarëve duke sjellë një notë më të lartë optimizmi.
Kjo edhe si pasojë e dy golave të shënuar nga sulmuesit, gjë që nuk ndodhte prej më shumë se një faze në këtë kampionat.
Pas ndeshjes me Kastriotin, sulmuesi Alfred Mensah ka folur me superlativa për ekipin që edhe pse në një situatë të vështirë vijon të mbajë lart përqendrimin dhe motivimin për një moment të tillë.
“Ishte një ndeshje mjaft e fortë pasi kundërshtari ka bërë një ecuri fantastike duke marrë fitore të rëndësishme. Ndaj, edhe për këtë ne ishim të vetëdijshëm që do të ishte një betejë për ne. E përgatitëm ndeshjen mjaft mirë dhe kjo u duk edhe në interpretimin që i bëmë lojës.
Për fat të mirë këtë herë fati ka qenë me ne dhe kemi mundur të marrim maksimumin në këtë takime duke lënë të hapur gjithçka”, theksoi Mensah.
MBIJETESA – Një fitore e tillë e ardhur pas një humbjeje të Egnatias me diferencën që tashmë ka shkuar në 10 pikë normalisht që jep efekte pozitive te Skënderbeu.
Kjo edhe për sulmuesin mbetet objektiv kryesor pavarësisht se vështirësitë janë të mëdha.
“Ka qenë një fitore e rëndësishme dhe një kombinim rezultatesh mjaft i mirë që më në fund na largon nga vendi i fundit i renditjes. Kjo na jep më shumë siguri dhe motivim për të vijuar me të njëjtën dëshirë.
Nëse kemi bërë maksimumin kur kemi qenë 14 pikë larg pse të mos e tentojmë tani. Është mjaft e qartë. Do të vijojmë përpjekjet deri në fund, ndaj edhe për këtë jemi këtu për të bërë maksimumin në çdo ndeshje”, theksoi Mensah.
E ARDHMJA – Edhe pse është në një pozicion delikat me Skënderbeun, Mensah e ka të qartë se cilat janë objektivat e tij për të ardhmen. I sinqertë sulmuesi ganez tregon se Skënderbeun e sheh si një trampolinë të sigurt drejt Europës. Por për momentin është i përqendruar te sezoni aktual.
“Nuk e shoh aspak të ardhmen për momentin edhe pse për vetë faktin që jam këtu unë e shoh Skënderbeun si një pedanë të rëndësishme për të kaluar në një tjetër kampionat.
Nga Skënderbeu mund të kalohet shumë më lehtë. Për këtë jam i vendosur të jap maksimumin këtu dhe të bëj gjithçka për ekipin.
Më pas do të vendosim me menaxherët se kush do të jetë e ardhmja ime. Unë jam në kontratë me Skënderbeun dhe duhet të flas me klubin, por për gjithçka do të shohim pas përfundimit të sezonit”, tha sulmuesi.