Ballina Kampionati Laçi rrëzon Skënderbeun, fitore me nëntë lojtarë

Laçi rrëzon Skënderbeun, fitore me nëntë lojtarë

149
0
Our Sponsor

LAÇI SKËNDERBEU 1-0
GOLI Sefgjinaj 90+4′
FORMACIONET
LAÇI: Vujadinoviç, Teqja, Sheta, Buljan, Sefgjinaj, Meto, Nimani (Çela 18′), Veliaj, Zefi (Mustafa 33′), Cetkoviç, Xhejms (Mitraj 83′). (në dispozicion: Moçka, Ndreca, Soza, Haliti). Trajner: Armando Cungu
SKËNDERBEU: Shehi, Vangjeli, Arapi, Radas, Abazi (Stojkov 83′), Shkëmbi, Nimaga, Lilaj, Progni, Berisha (Sefa 66′), Martins (Latifi 46′). (në dispozicion: Llapanji, Jashanica, Lulaj, Kame). Trajner: Mirel Josa
KARTONË TË VERDHË: Çela 38′, 80′ (2), Meto 73′ / Vangjeli 42′, Latifi 62′, Abazi 75′, Lilaj 88′, Nimaga 92′, 94′ (2)
KARTONË TË KUQ: Sheta 16′, Çela 80′ / Nimaga 94′
DELEGAT: Millan Baçi (Tiranë)
VËZHGUES: Ilirjan Kristo (Tiranë)
GJYQTARËT E.Jorgji (kryesor), E.Ganxhi, R.Preça (anësorë), R.Sadiku, F.Xhemalaj (pas portave)

Super-Laçi thyen Skënderbeun me nëntë lojtarë. Ishte një ndeshje dramatike që rrëzoi nga froni korçarët, teksa vendosi perla e Taulant Sefgjinit në frymën e fundit. Emocione të shumta, luftë e ashpër në fushë, kartonë pa limit, mes tyre edhe tre të kuq (dy për Laçin dhe një për Skënderbeun) dhe në fund një supergol. Takimi i pati të gjitha, në një lojë të hapur dhe me shumë grintë, veçanërisht nga vendësit. Koha shtesë u buzëqeshi kurbinasve, që shfrytëzuan në maksimum një goditje dënimi, duke marrë tri pikë të arta. Nga ana tjetër, pas pesë fitoreve radhazi në kampionat, korçarët e Mirel Josës lëshojnë vendin e parë dhe vështirësojnë së tepërmi garën për të fituar titullin kampion.

Pjesa e parë Ndeshja nis e ndezur dhe nën presionin e Laçit që rrezikon portën e Shehit me Nimanin. Mirëpo, korçarët përgjigjen shpejt dhe i afrohen golit me Martins, teksa kurbinasit nuk pësojnë për meritë të Vujadinoviç, që shpëton portën. Kur nuk kishin kaluar ende 16 minuta lojë, qendërmbrojtësi Arjan Sheta ndëshkohet me karton të kuq pas protestës së ashpër ndaj gjyqtarit Enea Jorgji. Këtu gjithçka vështirësohet për kurbinasit, ndërsa Skënderbeu merr zemër. Megjithatë, kurbinasit japin gjithçka në fushën e lojës, duke bërë që të mos ndihet aspak inferioriteti numerik. Rastet për gol nuk mungojnë, teksa korçarët rrezikojnë me Berishën, ndërsa më pas Laçi mund dhe duhet të kishte kaluar në avantazh. Shkëmbi gabon në një pasim, duke i dorëzuar topin kundërshtarit, teksa përfiton Xhejms, por nigeriani i vetëm përballë Shehit bën më të vështirën, duke u vonuar në goditje. Edhe pse Progni e Berisha bëjnë gjithçka mirë nga krahët, mbrojtja kurbinase është e pakalueshme, teksa Cungu kompenson daljen e Shetës me aktivizimin e Çelës. Vendësit janë të destinuar të vuajnë, pasi në minutën e 33- të humbasin shërbimet e Zefit, që del i dëmtuar dhe në lojë futet Mustafa. Megjithatë, 45 minutat e para mbyllen pa gola dhe një lojë të ekuilibruar.

Our sponsor

Pjesa e dytë Skënderbeu ndryshon që në startin e së dytës, teksa Josa e nis duke lënë në dhomat e zhveshjes sulmuesin Martins për t’i dhënë besim të riut Latifi. Loja është sërish e ekuilibruar, edhe pse korçarët kanë më shumë iniciativë. Laçi synon të kapë në befasi përmes kundërsulmeve Skënderbeun, por kjo nuk mjafton. Edhe te miqtë, asistet e Shkëmbit nuk shfrytëzohen. Momenti më i mirë është ai i Nimagës, që godet me kokë, por topi përplaset në shtyllë. Duke parë vendosjen e mirë në mbrojtje të kurbinasve me Buljanin dhe Çelën në qendër, Josa mendon të hedhë në fushë shtatlartin Fation Sefa. Sulmuesi lushnjar arrin të bëhet i frikshëm, teksa fiton disa faulle pranë zonës. Në minutën e 80-të, Laçi merr goditjen e dytë, pasi Çela del me të kuq pas dy të verdhave. Me nëntë lojtarë bëhet shumë e vështirë në 10 minutat e fundit për kurbinasit, në një kohë që Josa ka luksin për të futur në fushë edhe sulmuesin Stojkov. Fundi zhvillohet nën presionin e miqve, madje Nimaga shënon, por gol me dorë “alla Maradona”, teksa Jorgji e ndëshkon. Nuk kalojnë dy minuta nga ky rast, nigeriani lë Skënderbeun me 10 lojtarë pas një faulli dhe Laçi fiton një goditje dënimi. Nga kjo e fundit, kur luheshin minutat shtesë, mbrojtësi i majtë, Sefgjinaj, lëshon një predhë, duke e dërguar topin në trekëndësh. Stadiumi shpërthen, ndërsa korçarët nuk u besojnë syve dhe gjithçka mbyllet me fitoren e Laçit.

 

Artikulli tjetërJosa: Humbja na vështirëson rrugën drejt titullit

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu