Leonard Trebicka
Ka folur një ditë pas ndeshjes me Partizanin, duke i cilësuar “demat e kuq” huliganë, për shkak të rrëmujë që sollën të hënën në qytetin juglindor. Ilirjan Përmeti, drejtori i klubit kampion, dje folur sërish, duke ritheksuar se asnjë qindarkë nuk do të pranojnë kampionët nga klubi i kuq për dëmet e shkaktuara në Korçë nga tifozët e vet. Komisioni i Disiplinës ka vendosur që klubi “Partizani” duhet të shlyejë dëmet që shkaktuan tifozët e kuq në stadiumin “Skënderbeu”, dëme që kapin shifrën e 2 milionë lekëve, pasi u thyen mbi 100 stola dhe u prish një pjesë e pistës së tartanit. Pavarësisht kësaj, drejtori Përmeti ka thënë se gjithçka është e folur, duke treguar se kampionët sillen kudo si kampionë, madje këtë fakt e kishte bërë të ditur para vendimit të Disiplinës.
– Përmeti, së pari e nisim me vendimin e Disiplinës. Si do ta komentonit?
– E dinim që do të merrej një vendim për atë që ndodhi të hënën në Korçë, pas gjithë asaj rrëmuje që sollën tifozët e Partizanit. Unë i quajta “huliganë”, sepse vërtet ata 700 tifozë nuk kishin lidhje me futbollin. Fjalët e mia i vërtetoi edhe Disiplina, që përveç gjobës, vendosi që klubi mik të paguajë dëmet, që sollën tifozët e tij në stadium.
– Pra, ju prisni të dëmshpërbleheni nga ana klubi i kuq?
– Absolutisht jo. E theksova për gazetën tuaj më parë se nuk do të pranojmë asnjë qindarkë. Jemi një klub kampion dhe tifozët i kemi kampionë. Në asnjë ndeshje jashtë shtëpie nuk jemi sjellë siç u sollën tifozët e Partizanit në Korçë. Nuk na interesojnë aspak paratë, që do të derdhë Partizani në arkën e klubit tonë, ia kemi falur. Ajo që duam është se marrëdhëniet me çdo klub dhe jo vetëm me Partizanin, të jenë sa më të mira. Në fund të fundit, futbolli është festë dhe asgjë më shumë. Duam me ngulm që gjëra të tilla të mos përsëriten. Çdo gjë që ndodhi pas ndeshjes me Partizanin, e mbyllëm që atë ditë dhe nuk duam ta kujtojmë rrëmujën e tifozëve miq. Jemi të përqendruar te ndeshja e radhës. Tifozët e Partizanit treguan veten, kurse ne nuk duam asnjë qindarkë.
– Si po e përgatit skuadra ndeshjen me Apoloninë?
– Për mua, si drejtor teknik, ndeshja e radhës është më e vështirë se ajo ndaj Partizanit. Skuadrat e mëdha gjithmonë karikohen shumë, kur luajnë ndaj rivalëve, ndërsa ndaj skuadrave më të lehta është pak më e vështirë për t’u karikuar. Kjo sigurisht që nuk duhet të ndodhë me Skënderbeun, edhe pse ndoshta nuk do të jetë i karikuar 100%.
– Pse i druheni kaq shumë Apolonisë?
– Nuk e thashë se na tremb Apolonia. Jemi një skuadër me shumë eksperiencë dhe e dimë që çdo kundërshtar, kur luan ndaj nesh, jep maksimumin. Kjo do të ndodhë edhe me fierakët, të cilët do të luajnë lirshëm në fushë, pasi nuk kanë çfarë të humbasin. Pavarësisht fitores ndaj Partizanit, edhe ndeshje të tilla si kjo me Apoloninë dimë t’i vlerësojmë.
– Cili është apeli juaj, si drejtor teknik, në adresë të futbollistëve?
– Të gjithë duhet ta vlerësojmë maksimalisht ndeshjen, si lojtarët në fushë, ashtu edhe tifozët, të cilët jam i bindur se do të jenë të shumtë. Kanë mbetur edhe 6 ndeshje deri në fund dhe nuk na falet asnjë hap i gabuar.
– A besoni se Skënderbeu do të jetë i pari në finish?
– Ky është objektivi ynë kryesor dhe për atë po përpiqemi. Skënderbeu ka si objektiv titullin, por edhe Kupën e Shqipërisë. Këto 6 ndeshje duhet t’i marrim një e nga një. Për ne çdo ndeshje vlen tri pikë dhe po kaq vlen edhe Apolonia.
Sot mbyllen përgatitjet, grupi i plotë
Sot është dita e fundit e përgatitjeve për ndeshjen e radhës, atë me Apoloninë. Për kampionët këto përgatitje kanë qenë të cunguara, pasi koha nga ndeshja e fundit ka qenë e pakët. Dje u zhvillua seanca e parafundit, që nisi në orën 11:00 dhe është zhvilluar në aneksin e stadiumit. Ishte një seancë me ngarkesë të plotë dhe grupi i lojtarëve ka qenë në dispozicion të Josës. Kjo është hera e parë, që asnjë lojtar nuk ndodhet në infermieri. Më shumë se 100 minuta ka zgjatur stërvitja e djeshme, ndërsa seanca e fundit para Apolonisë do të jetë kjo e sotmja, që do të startojë në orën 11:00.
Martins me fat Apoloninë, pritet të zhbllokohet
Dhiego Martins është sulmuesi kryesor i kampionëve dhe kryeson listën e golashënuesve te Skënderbeut, bashkë me Peterin. Të dy lojtarët kanë shënuar nga 6 gola secili, ndërkohë që Skënderbeu është skuadra me numrin më të madh të lojtarëve që kanë shënuar. Në 30 javë për Skënderbeun kanë shënuar plot 17 lojtarë, madje edhe portieri Orges Shehi. Martins deri tani ka shënuar 6 gola, por e veçanta është se i ka shënuar vetëm në tri ndeshje. Braziliani ka shënuar një tregolësh, një dygolësh dhe një tjetër gol. Tregolëshin e ka shënuar pikërisht në ndeshjen e javës së 13-të, atë me Apoloninë në Korçë, ku kampionët fituan 6-0. Martins shënoi 3 gola në pjesën e dytë, pasi rezultati më parë kishte shkuar në 2-0. Skuadra fierake duket se i sjell fat sulmuesit, i cili pritet të zhbllokohet nesër.