Sabien Lilaj, një korçar që shënon penalltinë për Dinamon në minutën e 102-të, rrëzon Skënderbeun nga Superiorja dhe mban gjallë shpresat e Dinamos për mbijetesë.
Në prononcimin për “Panorama Sport”, Lilaj shprehet se kjo ditë ishte më e keqja e karrierës së tij, si dhe thekson që as fati nuk është me ta, pasi po humbasin shumë raste. Lilaj, goli juaj e rrëzoi përfundimisht nga kategoria edhe nga ana matematikore Skënderbeun.
A ju erdhi keq që ju regjistruat emrin e golit të Dinamos?
Dua të them se kjo ka qenë dita më e keqe e karrierës sime. S’e di se kush i tha trajnerit që të ma jepnin mua këtë penallti për ta gjuajtur. Kur je profesionist, nuk ke çfarë të bësh, vetëm se të kryesh detyrën e ekipit me të cilin luan.
A ju vjen keq për këto dy ekipe, që ndoshta nuk e meritonin, duke zbritur në Kategorinë e Parë?
Më vjen keq për të dyja ekipet, më vjen keq dhe për veten që arrita ta provoja edhe këtë pjesë të futbollit, por është një detyrim që nuk mund të bësh më shumë. Duhet të ecësh përpara dhe s‘na mbetet gjë tjetër.
Ku çaloi kjo Dinamo në këtë sezon, thjesht në menaxhimin e skuadrës apo grupi që zgjodhën?
Të them të drejtën, nuk e di, sepse po ta dinim, do ta ndryshonim me kohë, për të mos i lënë gjërat në fund. Mendoj se Dinamo ka çaluar pothuajse në çdo aspekt, se asgjë nuk ka ecur mirë, siç e shihni edhe fati nuk ka qenë me ne. Kemi pasur dy-tri raste para portës në çdo ndeshje e nuk shënojmë.
Lilaj, si e mendoni sezonin e ardhshëm?
Jam duke vuajtur një dëmtim dhe madje do t’i kërkoj leje trajnerit për të pushuar pak e për të rikuperuar dëmtimin. I kam kërkuar trajnerit para dy tri javësh që të largohesha për t’u rikuperuar dhe ai më ka thënë që isha i nevojshëm dhe të rrija pranë ekipit. Kështu që, tani do të shkoj njëherë të rikuperohem e pastaj të shohim.
Ndonjë ekip i ri që është në mendjen tuaj?
Nuk mund të them asgjë pasi unë jam nën kontratë me Dinamon për dy vite. Për momentin nuk e di se si do t’i bisedojmë gjërat më pas, por do të shohim.