Ballina Europe “Presidenti në burg dhe rezultate të luhatura, Skënderbeu ka shanse”

“Presidenti në burg dhe rezultate të luhatura, Skënderbeu ka shanse”

31
0
Our Sponsor

Sulmuesi shkodranm Bejik Balaj rrëfen Dinamon e Zagrebit dhe përgëzon bashkëqytetarin e tij: “Salihi lideri dhe njeriu kyç i suksesit, nëse i shënoj Dinamos i rrëfen sekretet… Organizimi i Skënderbeut është model që duhet ndjekur, në shtator Shqipëria vendos rekord të ri”

Anton CIcani

Sot, Mirel Josa & Co do të ketë më shumë arsye për të ndjekur Bekim Balajn dhe Odise Roshin, pasi Rijeka ku aktivizohen shqiptarët do të përballet me Dinamo Zagrebin për javën e katërt të kampionatit kroat. Sulmuesi shkodran, ndërkaq, pret që të rifillojë të shënojë me vazhdimësi, ashtu si në gjysmën e dytë të sezonit të shkuar, teksa shpreson që Skënderbeu të shkruajë historinë duke shkuar në Champions League. i kontaktuar nga “Sport Ekspres”, sulmuesi 24-vjeçar rrëfen gjithçka di mbi kundërshtarin.

Our sponsor

 

–           Si njohës i mirë i futbollit kroat, duhet të prezantoni temën “Dinamo Zagreb” për tifozët e Skënderbeut dhe sidomos për trajnerin Josa dhe futbollistët korçarë, që në shortin e play off do të përballen pikërisht me kampionët në fjalë?

–           (qesh) Në fakt, ende s’e kam perfeksionuar gjuhën… por futbollin sigurisht, kam arritur ta kuptoj, edhe pse duhet thënë se ka shumë të parpritura. Për shembull, asnjë nuk e priste që Rijeka të eliminohej që në turin e dytë të Europa League, as drejtuesit, as ne lojtarët dhe as tifozët. Praktikisht, ndonjëherë të ndodhë që kur je i bindur shumë se mund të bësh çdo gjë, nuk bën asgjë… Megjithatë, Dinamo Zagreb njihet se kush është, një nga klubet me më shumë traditë në futbollin kroat dhe model sa i përket rritjes dhe zhvillimit të talenteve, që e kanë kthyer në biznesin kryesor.

–           Dakord, por duam të dijmë se si luajnë? Çfarë forme po kalojnë? Sa shanse ka Skënderbeu?

–           Parashikuesi është një rol që s’më pëlqen, sepse në të shumtën e rasteve nuk më dalin… Por, meqë jemi duke i studiuar, po ju them disa të fshehta…

–           Si duke i studiuar?

–           Kemi ndeshje me Dinamon këtë fundjavë (luajnë sot), ndaj kemi parë disa kaseta dhe ndeshje të fundit të tyre.

–           Atëherë, qenkeni gati për tezën e prezantimit?

–           Ja ta provojmë.

–           Pika më e fortë e Dinamos?

–           Pikat do të thuash, sepse s’kanë vetëm një por disa lojtarë të talentuar.

–           Emrat?

–           Maqedonasi Ademi, që është edhe kapiteni. Herikez, që ka qenë deçiziv edhe sezonin e shkuar, për të vazhduar me Sudani, një futbollist me shumë merkato dhe së fundmi talenti Pjaca, që është kërkuar edhe nga Milani dhe skuadra të tjera. Praktikisht, këto janë ato elementë që bëjnë diferencën në çdo ndeshje.

–           Emra që janë edhe në merkato?

–           Pikërisht kështu, por Dinamo Zagrebit, kur vjen puna për të bërë biznes është me laps dhe letër

–           Shpjegohuni…

–           Vlerat e kartonëve janë të larta, gjithmonë. Nuk i shesin talentet e tyre poshtë shifrës 5 mln euro, edhe pse quhet Dinamo Zagreb dhe luan në Kroaci

–           Po forma e Dinamos si është?

–           Me luhatje aktualisht dhe këtu do të ndalesha. Duhet që Skënderbeu të fokusohet tek ky aspekt, sigurisht, pa nënvlerësuar, por nuk ia kam frikën në këtë gjë.Momenti që po kalojnë është i vështirë, kanë tetë pikë, por kanë probleme të tjera, jo vetëm teknike

–           Cilat janë këto problemet e tjera

–           Presidenti i tyre, Mamiç, ka probleme me ligjin dhe këtu është bërë çështje e madhe, saqë ai ka qenë edhe në burg disa ditë. Nuk është situatë e qetë për Dinamon. Kanë gjithashtu dy barazime

–           Po tifozeria e Dinamo Zagrebit, një ndër më “të çmendurat”, do ta bëjë diferencën në “Maksimir”?

–           Dikur do ta thoja këtë gjë, kohët e fundit, shkak edhe lufta e vazhdueshme me presidentin Mamiç, janë ftohur disi dhe janë larguar. Ata e kanë kërkuar prej kohësh ikjen e tij nga drejtimi i klubit

–           Me shqiptarët nuk kanë probleme?

–           Jo, aspak, përkundrazi, i duan shqiptarët dhe i respektojnë

–           Atëherë, si janë shanset e korçarëve?

–           Mendoj që për momentin që po kalon Skënderbeu dhe formën, Dinamo është një kundërshtar i vështirë, por jo i pakalueshëm

–           Bekim, besoj se e keni parë që miku juaj shkodran, Salihi, ka shënuar pesë gola me Skënderbeun në katër ndeshje…

–           Sa do t’iu thoja. Hamdiun e përgëzoj vërtet, sepse është një djalë i shkëlqyer dhe një futbollist që s’ka nevojë për prezantime. Skënderbeu bëri një goditje të madhe që e afroi në merkato dhe ja ku po e shpërblen këtë gjë. Salihi është një nga faktorët kyç të suksesit të Skënderbeut dhe mund të them se nëse vazhdon me ritmet e tanishme, suksesi i tij mund të shkojë edhe më shumë

–           Deri ku…

–           Në Champions League, në grupe!

–           Çfarë të ka rënë në sy nga Skënderbeu?

–           Diçka që s’ka të bëjë vetëm me aspektin teknik dhe cilësor

–           Si për shembull?

–           Organizimi. Eshtë një ekip model dhe shembulli që duhet ndjekur nga ekipet e tjera shqiptare, që kanë vite që po punojnë dhe rezultatet e tyre nuk janë të rastësishme.

–           Bekim, tek Dinamo luan një shqiptar i talentuar, Çekiçi.

–           Po e di, lojtar i mirë. Ende i ri por ka kohë. Tek Dinamo mund të rritet pa presione

–           Pasi t’i shënosh Dinamos, do të flasësh në tel me Salihin dhe t’i tregosh ndonjë sekret se si i bëhet gol?!

–           (qesh) Patjetër, por në fillim të shënoj. Pastaj të flas me Salihin është kënaqësi për mua. Nuk e di sa do ta ndihmonin këshillat e mia

–           Ndërkaq, është viti i Shqipërisë: Skënderbeu në play off Champions (drejt ëndrrës së madhe) dhe Kombëtarja e 22-ta në renditje dhe shumë pranë Europianit. Si e komentoni?

–           Po flasim vetëm për arritje si në rang klubesh, ashtu edhe në Kombëtare. Ndihemi krenar për këtë gjë dhe për pozicionin që mbajmë tashmë në FIFA dhe që kemi lënë pas skuadra me një emër më të madh. Por…

–           Por çfarë?

–           Kemi rastin që të rritemi edhe më shumë, shtatori është afër…

–           Domethënë, fitore në Danimarkë dhe me Portugalinë

–           Nuk thashë këtë gjë, thashë që kemi shans, pastaj se çfarë ndodh ai është verdikt i fushës

–           Si është Roshi?

–           Shumë mirë, me oreks (qesh)

–           A është ambientuar ndopak?

–           Po, por kaloi një dëmtim. Megjithatë, tani është mëse gati që të luajë. Jam i bindur që do të bëjë mirë

–           Je mbrapa me golat, e di?!

–           Do të shlyej kohën e humbur, ju premtoj (qesh)

 

3

Gola

Ka shënuar Balaj në kampionat në katër ndeshjet e para edhe pse futbollisti ende s’është i kënaqur dhe kërkon më shumë nga vetja, sidomos pasi në Europë nuk la gjurmët që dëshironte, ndaj Motheruellit

 

Tifozët e

Dinamos

“Dikur do ta thoja që janë vërtet futbollisti i 12-të, por kohët e fundit, shkak edhe lufta e vazhdueshme dhe kundërshtitë me presidentin Mamiç, janë ftohur disi dhe janë larguar. Ata e kanë kërkuar prej kohësh ikjen e tij nga drejtimi i klubit”

 

Elementët

e talentuar

Maqedonasi Ademi, që është edhe kapiteni. Herikez, që ka qenë deçiziv edhe sezonin e shkuar, për të vazhduar me Sudani, një futbollist me shumë merkato dhe së fundmi talenti Pjaca, që është kërkuar edhe nga Milani dhe skuadra të tjera. Praktikisht, këto janë ato elementë që bëjnë diferencën në çdo ndeshje.

Artikulli paraprakHristov, nje “spiun” brenda shtepise
Artikulli tjetër“Shokët e ekipit parashikuan përballjen ndaj Skënderbeut”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu