Dikur duke ndjekur ndeshjet e Skënderbeut dhe madje duke bërë tifo për skuadrën korçare, tashmë Endri Çekiçi është në krahun e kundërshtarit të kampionëve të Superligës. Kështu mund të përkufizohet historia e talentit pogradecar, i cili që nga 2014-ta është pjesë e Dinamos së Zagrebit. 18-vjeçari do të jetë më 25 gusht një prej lojtarëve kundërshtarë të Skënderbeut në “Elbasan Arena” për të luajtur ndeshjen e parë të play-off-it të Ligës së Kampionëve. Klubi kroat i pagoi 60 mijë euro ish-skuadrës së tij, Teutës në vitin 2014, duke e bërë mesfushorin, si fillim pjesë të ekipit të të rinjve dhe më pas të skuadrës së parë. Tashmë shorti i raundit të 4-t Eliminator e vendos Endri Çekiçin përballë ish-skuadrës së babait të tij, Ylli Çekiçit, një ndër arsyet që talenti i Shpresave të Shqipërisë të bënte tifo për ekipin korçar. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, mesfushori i Dinamos së Zagrebit tregon për atmosferën sesi është pritur lajmi për përballjen me korçarët në skuadrën e tij, batutat me shokët e ekipit para dhe pas shortit, ndërsa pohon se është ndier krenar për arritjen e Skënderbeut në arenën e futbollit evropian.
-Si e shihni përballjen kundër Skënderbeut?
-Shorti u tregua disi i kapriçoz për mua personalisht. Nuk e prisja që në play-off të kishim përballë Skënderbeun, pasi mundësitë ishin 1 me 5. Megjithatë, futbolli është i tillë dhe duhet të luash ndaj çdo kundërshtari me të njëjtën dëshirë për të fituar dhe për të dhënë maksimumin. Edhe unë personalisht kështu e shoh sfidën ndaj ekipit korçar.
-Do të luani kundër ish-ekipit të babait tuaj…
-Është një tjetër ndjesi e veçantë që e bën edhe më interesant këtë përballje për mua personalisht. E kam ndjekur tim atë në shumë ndeshje që ka luajtur më parë me Skënderbeun dhe kam bërë tifo për skuadrën korçare. Këtë herë nuk e di se për kë do të bëjë tifo babai im, për Skënderbeun apo për Dinamon e Zagrebit (qesh).
-Mendoni se do ta keni të vështirë të kaloni kampionët e Superligës?
-Këtë do ta tregojë fusha. Skënderbeu nuk është aspak një kundërshtar për t’u nënvlerësuar. Arritja deri në këtë fazë të “UEFA Champions League” është treguesi më i qartë i këtij konstatimi. Megjithatë, Dinamo Zagreb luan gjithnjë për të hyrë në Grupet e këtij kompeticioni dhe për këtë nuk ka dyshim.
-Cilat janë emocionet tuaja për këtë përballje, pasi do të ndesheni me një ekip shqiptar?
-Do të jetë një ndjenjë e bukur dhe e veçantë për mua personalisht, pasi do të luaj në një stadium shqiptar, këtë herë si kundërshtar. Por njëkohësisht edhe një përgjegjësi e madhe, një ndjesi e çuditshme që nuk e kam provuar më parë. Më shumë se sa kundër një skuadre shqiptare do të jem për një natë rival në fushë për publikun shqiptar, i cili është nga më dashamirësit në Europë.
-Si e kanë pritur këtë short në Zagreb dhe si e konsiderojnë përballjen kundër ekipit korçar?
-Sigurisht si një përballje ndaj çdo kundërshtari tjetër të mundshëm. Për Skënderbeun, edhe pse është një ekip që merr pjesë për herë të parë në fazën play-off të Ligës së Kampionëve nuk ka pasur asnjë koment nënvlerësues në ambientin e klubit tonë. Në këtë raund të fundit Eliminator nuk ka ndeshje të lehta. Jemi të karikuar për të dhënë më të mirën në të dyja përballjet ndaj Skënderbeut.
-Keni folur me shokët e skuadrës suaj pasi mësuat se cili do të jetë kundërshtari i Dinamos në play-off?
-Po. Madje një bisedë për shortin e kemi bërë edhe një natë para se goglat të përcaktonin përballjen Dinamo Zagreb-Skënderbeu. Më ngacmonin duke më thënë se do të viheshim përballë ekipit shqiptar. Në fakt parashikimi i tyre doli i saktë. Shorti ndaj Skënderbeut është pritur pozitivisht.
-Po me të afërmit tuaj në Shqipëri keni komunikuar?
-Po dhe janë të gëzuar që ra ky short. Kam folur me familjarët e mi dhe shumë miq në Shqipëri dhe më kanë thënë se janë të emocionuar edhe ata për këtë përballje, duke shpresuar që të jem në fushë kundër Skënderbeut.
-Cila është pika më e fortë e Dinamos së Zagrebit?
-Përveç faktit që kemi në përbërje shumë lojtarë të talentuar dhe individë me kualitet të lartë, kemi një frymë grupi mjaft pozitive. Më shumë se kaq nuk mund të zbuloj (qesh).
-Po më e dobëta?
-Ehh…Kjo i mbetet Skënderbeut për ta zbuluar.
-Cili është komenti juaj për Skënderbeun dhe arritjet e tij të fundit në arenën e futbollit evropian?
-E përgëzoj për arritjen e fundit në arenën e futbollit evropian. Ka një skuadër të fortë dhe këtë e kanë treguar në ndeshjet e fundit që kanë zhvilluar ndaj Krusejdërs dhe Milsamit. Me suksesin që kanë arritur duke shkuar deri në këtë fazë të Eliminatoreve të Ligës së Kampionëve, Skënderbeu ka bërë krenarë gjithë shqiptarët. Edhe unë personalisht ndihem i tillë që një skuadër e vendit tim merr pjesë për herë të parë në Grupet e Europa League dhe tenton të hyjë në Champions.
-Cilat janë synimet e tua me Dinamon e Zagrebit?
-Kam edhe 5 vite kontratë dhe momentalisht po punoj fort për të qenë pjesë e formacionit bazë të ekipit. Ambiciet personale rriten me kalimin e kohës.
-Tashmë keni kaluar një dëmtim serioz që ju la jashtë fushave për disa muaj…
-Është e vërtetë që dëmtimi më penalizoi disi. Por futbolli i ka të tilla situata. Po stërvitem fort për t’u kthyer edhe më i fortë në fushën e lojës.
-A do të jeni në fushë kundër Skënderbeut?
-Kam shumë dëshirë të luaj ndaj ekipit korçar. Megjithatë, kjo mbetet në dorë të trajnerit. Është ai që vendos. E ndjej veten gati fizikisht për të qenë në fushë, por mbetet për t’u parë
-Jeni pjesë e Kombëtares U21. Ç’synim keni në vazhdim dhe e mendoni se është e afërt dita kur mund të vishni fanellën e Kombëtares së madhe?
-Siç e thashë, për momentin dua të jap maksimumin me Dinamon e Zagrebit dhe normalisht edhe ftesa për në Kombëtaren e madhe do të vijë nëse do të luaj në nivele të larta.
60 MIJË
Euro pagoi Dinamo Zagreb për kartonin e Endri Çekiçit, pikërisht skuadrës së Teutës në vitin 2014.
1 MARS 2015
Mesfushori 18-vjeçar nga qyteti i Pogradecit debutoi më 1 mars 2015 me ekipin e parë të Dinamos së Zagrebit në sfidën kundër RNK Split. Por fati i keq bëri që Çekiçi të dëmtohej po në atë sfidë, ku pasi fitoi një 11-metërsh doli nga fusha me ndihmën e makinës së ndihmës së shpejtë. Tashmë ai është rikuperuar plotësisht.