Sinjali ishte i qartë nga vetë presidenti Ardjan Takaj në prezantimin e Orges Shehit. Skënderbeu nuk ka ndërmend të presë pambarimisht senatorët e vitit të kaluar, duke filluar nga Kristi Vangjeli, Tefik Osmani, Gjergji Muzaka dhe Gledi Mici, të cilëve u ka përfunduar kontrata dhe shanset për rinovim janë thuajse zero.
Drejtuesit prisnin që deri dje dhe maksimumi sot, futbollistët të kthenin një përgjigje zyrtare. Mirëpo, duket se asgjë nuk ka ndryshuar dhe lojtarët mund të quhen zyrtarisht të larguar nga Korça. Gjithsesi, ajo që ka më shumë rëndësi në këto momente është pikërisht fakti se pse këta futbollistë nuk janë të vendosur të japin përgjigjen pozitive. Burimet pranë klubit korçar bëjnë me dije për “Panorama Sport” se arsyeja e këtyre hezitimeve është pikërisht ngërçi i kontratës dhe kushteve të reja.
Mbi të gjitha, garancia financiare dhe mungesa e besimit, duke parë se klubi është dënuar nga UEFA. Pasiguria është reflektuar tashmë edhe te kontratat. Të gjithë futbollistët pa përjashtim janë bërë pjesë e reduktimeve në rrogat e tyre dhe sidomos ata që janë me kontrata të skaduara dhe u kërkohet të rinovojnë.
Pikërisht ky diskutim vlen sidomos për Vangjelin, Muzakën dhe Osmanin. Mësohet se u është prezantuar kontrata e re, por me pagë të përgjysmuar. Kjo ka sjellë lëkundjen e parë të tyre dhe hezitimi është bërë i madh. Nga ana tjetër, është kërkuar nga vetë futbollistët një garanci financiare të paktën deri në dhjetor të këtij viti. Kjo do të qetësonte futbollistët që të vendosnin për të ardhmen e tyre, duke vijuar te Skënderbeu.
SULMUESI – As sulmuesi në pronësi të Skënderbeut, Oto Xhon, nuk është i sigurt nëse do të vijojë karrierën me korçarët. Nigeriani, i cili ka dy vite që luan në Superligën kosovare me Trepça ’89, duke qenë golashënuesi më i mirë, pritet nga korçarët që të vijë sot. Ndërkohë, mediat kosovare kanë njoftuar dje se Xhon mund të luajë për Dritën e Gjilanit edhe në vijim.
Kampionët në fuqi të Kosovës kanë kaluar në turin e parë të Champions-it dhe do të luajnë ndaj suedezëve të Malmos. Drejtuesit dhe futbollisti kanë zhvilluar biseda intensive dhe pritet që të konkretizohet marrëveshja. Gjasat janë që të zyrtarizohet sot.
TAKAJ – Presidenti i Skënderbeut është i vendosur sa u përket rinovimeve të kontratave. Jo më kot ai ka lënë një afat deri në ditën e sotme. “Kush ka dëshirë të vijë te Skënderbeu, le të vijë. Kush jo, e ka derën e hapur të largohet. Disa nga lojtarët e larguar kanë qenë në moshë të madhe.
Pra, do të ndodhte një revolucion i tillë”, ka qenë deklarata e Takajt. Dita e sotme pritet të jetë vendimtare për të mësuar përfundimisht se çfarë do të bëjnë futbollistët që u shpallën kampionë me Skënderbeun sezonin e kaluar dhe që ende s’kanë rinovuar.