Një ndër ata që beson më shumë se Skënderbeu i këtij sezoni do të vijojë të jetë i fortë është pikërisht kapiteni i ardhshëm, kroati Marko Radas. Nga Kroacia, ku po shijon pushimet pranë familjes, Radas është shprehur i kënaqur në lidhje me faktin që drejtuesit po përpiqen të mbajnë grupin sa më shumë të jetë e mundur. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, kroati Radas vlerësoi mjaft iniciativën e Shehit për të marrë ekipin dhe normalisht u shpreh besimplotë për sezonin e ri, pavarësisht lëkundjeve.
“Normalisht që në këto momente kur po i afrohemi fazës përgatitore dhe të gjithë lojtarët janë lajmëruar për nisjen e përgatitjeve situata është disi më e qetë dhe jo aq konfuze sa në fillim. Lajmet që vinin herë pas here ato ditë të jepnin përshtypjen se gjithçka do të shkonte keq e më keq. Por, dukshëm presidenti Takaj u tregua edhe një herë se është një drejtues i mirë dhe e mblodhi situatën në momentin e duhur. Shpresa është e madhe edhe nga ajo çka pritet të ndodhë në KAS dhe sigurisht që presim lajme të mira nga “Babagjyshi’ në fundvit”, theksoi fillimisht Marko Radas.