- Orges Shehi merr “timonin” e Skënder beut. Pak kohë pasi e mbylli me futbollin, tashmë kapiteni do të marrë drejtimin e 7 herë kampionëve të vendit. Në të parën intervistë pasi është emëruar si trajner, enkas për “Panorama Sport”, 40-vjeçari rrëfen zgjedhjen e bërë dhe zbulon planet për të ardhmen. Konfirmon se është duke negociuar me titullarët që mbyllën sezonin dhe evidenton se do të ndërtohet një ekip për të tentuar sërish majat, sikundër është edhe zakoni.
Nga kapiten, tashmë jeni trajner i Skënderbeut. Si ndihet Orgesi në këtë rol tërësisht të ri?
Të them të drejtën, është pak më ndryshe. Ndoshta nuk do të kem më lodhje fizike, por përgjegjësia sigurisht është më e madhe. Duhet thënë që nuk jam zyrtarizuar ende, por duket se jemi shumë shumë afër.
Sapo varët “dorezat në gozhdë”, veshët tutat e trajnerit. Rrallë u ndodh futbollistëve kjo gjë…
Është një ndryshim i madh, sigurisht edhe për faktin se ndodhi shumë shpejt. Para një muaji isha në fushë, ndërsa tani do të jem në pankinë. Mendoj se është një përgjegjësi e madhe dhe do të bëj më të mirën për të shpërblyer besimin.
Para se ta mbyllnit me futbollin e luajtur, keni theksuar se do të mbeteni te Skënderbeu. Këtë kishit parasysh?
Jo, unë e kam thënë edhe më herët që do të isha pjesë e futbollit. Në një moment të tillë e ndieja si përgjegjësi dhe detyrim që të merrja unë pozicionin e trajnerit. Planet e mia ndryshuan duke parë situatën dhe vendosa të mbetem te Skënderbeu.
Çfarë planesh kishit për të ardhmen?
Kanë qenë plane të fushës, por kisha mundësi të tjera për të qëndruar pranë një specialisti të madh për të mësuar. Por në këtë situatë diçka ndryshoi.
Kur thoni “e ndieja detyrim”, për çfarë e keni fjalën?
Kam kaluar jo pak, por 8 vite të mbushura me lavdi. Kam marrë shumë nga Skënderbeu dhe e pranova për këtë arsye. Gjithsesi, vij këtu dhe gjej kushte të shkëlqyera, por edhe po të ishin ndryshe kushtet, pra edhe nëse nuk do ishin komode, do ta kisha pranuar.
Në fakt, në 8 vite morët 7 tituj. A janë shumë?
Kam qenë pjesë e projektit që në fillim dhe jam krenar për këtë. Bëmë rekordin dhe të tjerët do e kenë të vështirë të na arrijnë. Janë shumë tituj të fituar dhe kjo është një krenari që i mbetet qytetit. Për të mos përmendur arritjet fantastike në Europë, që i bën vetëm një ekip i madh.
Ftesa nga klubi erdhi kur Daja e mbylli me Skënderbeun apo keni biseduar më herët?
Jo, nuk kam biseduar për trajner, kam qenë në kontakte për ecurinë e ekipit dhe në pritje të vendimit të KAS. Më kanë thënë që nëse luajmë Champions-in, duhej ende ndihma ime në portë dhe vendosa të qëndroj pranë klubit në ato moment. Duke parë që vendimi ishte negativ, isha në biseda të vazhdueshme me klubin si lojtari një i vjetër, por jo si trajner. Pas largimit të Dajës u hodh ideja dhe, pasi e menduam mirë, vendosëm që të vijojmë bashkërisht.
Gjatë këtyre viteve jeni konsideruar si një njeri i ekuilibrave të forta. A do të jetë e lehtë ta mbani këtë status edhe tani?
Marrëdhënia me ekipin është e rëndësishme. Nga natyra jam një tip shumë korrekt dhe të gjithë lojtarët kemi qenë një familje e madhe, ku gjithsecili ka bërë punën e vet. Kjo është motoja ime dhe kështu do të vijoj edhe si trajner. Fryma e grupit vlen shumë për të ecur përpara.
Çfarë po ndodh me titullarët pa kontratë?
Janë futbollistë me vlerë, por janë pa kontratë. Në njëfarë mënyre janë edhe shokët e mi. Unë kam biseduar me ta paraprakisht dhe do mundohem që t’i bind që të qëndrojnë në këtë ekip. Por, jo gjithçka varet nga unë, pasi është një zgjedhje personale e tyre. Unë do të bëj maksimumin pasi i dua në skuadër, jo vetëm si shokët e mi, por edhe si lojtarë të shkëlqyer.
Po kthehen të gjithë të huazuarit, çfarë plani keni?
Po, është e vërtetë që po kthejmë të gjithë lojtarët nga huazimet. Do të shohim se çfarë mund të bëjnë ata dhe më pas të vendosim se cilët janë për Skënderbeun në bazë të pozicioneve ku kemi më shumë nevojë.
Po me merkaton si do procedoni?
Ka shumë emra që mund të na ndihmojnë për të ardhmen. Bëhet fjalë për të huaj dhe do shihen me kujdes se kush është ia vlen. Do të ndërtojmë një ekip mjaft kompetitiv.
Do pretendohet titull?
Sigurisht që do të jemi një ekip për vendet e para, pasi kjo është tradita jonë. Ne do të mundohemi të bëjmë një ekip të mirë dhe kompetitiv për të qenë në nivele të larta. Por të shohim, goditjet do të vijnë pasi të nisë faza përgatitore.
Sa besim keni te vendimi përfundimtar i KAS-it?
Ne shpresojmë që të jetë kështu, pasi është një dënim i bazuar në thashetheme dhe jo në fakte. Prandaj, them se asnjë gjyqtar i KAS-it nuk do të pranojë atë dosje që është një thashethemnajë. Besojmë shumë te vendimi përfundimtar, por nuk na takon ne të merremi. Ne jemi në një situatë paksa kritike, pasi nuk kemi marrë pjesë në Champions këtë vit. Skuadra mund të ketë ndryshime dhe duhet të bëjmë punë të madhe për të qenë vetëm të përqendruar te fusha.
Së fundi, a keni një mesazh për tifozërinë korçare?
Sigurisht, duke parë sa afër na kanë qëndruar, unë u them të mos humbin besimin te ky ekip dhe të na qëndrojnë afër. Duke qenë bashkë, do të bëjnë mirë në këtë kampionat. Do të vijnë ditë të mira