Mbrojtësi kosovar, i cili bëri një sezon të shkëlqyer, sidomos pas pezullimit të Jashanicës duke u bërë një nga pikat solide të prapavijës së Skënderbeut, ka rënë në sy të ekipeve të huaja që kërkojnë shërbimet e tij. Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport”, se janë në garë disa ekipe turke dhe zvicerane që janë të interesuara për shërbimet e lojtarit.
Të njëjtat burime theksojnë se nuk bëhet fjalë për një ofertë zyrtare, por një interesim të vazhdueshëm dhe pritet që bisedimet të vijojnë, ndërsa brenda muajit korrik të ketë ndoshta një ofertë zyrtare në drejtim të lojtarit.
Natyrisht që Skënderbeu është duke monitoruar me qetësi dhe kujdes të veçantë situatën, aq sa nuk kërkon të nxitohet për të bërë hapa të gabuara. Pas largimit të pjesës më të madhe të lojtarëve që ishin pa një kontratë me bardhekuqtë dhe mbi të gjitha me largimin e Ilir Dajës nga stoli i Skënderbeut, klubi është duke u menduar gjatë për të mos bërë gabim në lëvizje. Situata për sa i përket Fidan Alitit mbetet e ngrirë për momentin, pasi në klub asnjë nuk kërkon të bëjë vendime të nxituara. Korçarët vazhdojnë t’i qëndrojnë faktit se do të kërkojnë të përfitojnë çfarë të jetë e mundur për të siguruar financa, por duke mbajtur një linjë për të krijuar një grup të rëndësishëm. Për bardhekuqtë, Aliti vlen më shumë se 300 mijë euro dhe ofertat nën këtë vlerë nuk do të pranohen. Gjithashtu, Enis Gavazaj ka pasur oferta nga Zvicra dhe Kroacia, ku Hajduku i Splitit ka shprehur interes. Megjithatë, për të Skënderbeu kërkon rreth 400 mijë euro që ta lërë të lirë.