Trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç, foli në konferencë për shtyp, në prag të sfidës që skuadra e tij do të luajë të shtunën ndaj Vllaznisë.
Gvozdenoviç, vlerësoi kundërshtarin, por shtoi se Skënderbeu do të bëjë lojën e tij, për të marrë pikët.
Gjithashtu trajneri i korçarëve, zbuloi se mungesa e vetme për bardhekuqtë, do të jetë Rei Pecani, i cili ka pësuar dëmtim.
“Vllaznia është një skuadër e fortë, luajnë mirë në ajër, por jemi gati për ato që dua unë. Do jemi agresivë dhe do bëjmë presion lart. Sot kemi stërvitjen e fundit dhe më pas do jemi më të qartë. Vetëm Pecani është i dëmtuar dhe do të mungojë. Do mungojë për një javë.
Nikaj është pak i lodhur, sepse ishte me Shqipërinë U-21 dhe luajti të martën, por është gati për ndeshjen me Vllazninë.
Kur vijmë pas një humbje, duam reagim. Mendojmë për pikët. E thashë që Laçi e meritoi fitoren. Mendojmë vetëm për pikët ndaj Vllaznisë.
Ndoshta Vllaznia është në krizë për pikët, por bëjnë një lojë të mirë. Ne shikojmë vetëm situatën tonë dhe jemi të përqendruar. Kemi respekt, por mendojmë për pikët.
Nesër luan Skënderbeu-Vllaznia, jo Gvozdenoviç përballë Memellit. Përqendrim vetëm te fusha e lojës.
Nuk mund të themi se jemi shumë mirë më pikët. Humbja me Kukësin është minus për ne. Mund të them se jemi në rregull. Kemi 12 pikë në 8 javë.”, deklaroi tekniku i Skenderbeut.