Skënderbeu ka bërë lëvizjen e radhës në merkato duke sjellë një emër të ri për sulmin e kësaj skuadre, brazilianin Robinjo Mota. Sipas “Korça Sot”, kjo është goditja e madhe në sulm e skuadrës së drejtuar nga Orges Shehi, i cili do të formojë me të dhe Oto Xhon dyshen e sulmit për sezonin e tij.
Robson Renan Da Kosta Mota, i njohur si Robinjo Mot, është një futbollist mjaft cilësor për kategoritë e ulëta të kampionatit brazilian të futbollit. 20-vjeçari është një futbollist me aftësi të mira teknike, siç shihet në videon e mëposhtme, por ka pasur vështirësi të mëdha në momentin kur i është bashkuar skuadrave që i afrohen futbollit profesionist. Sipas burimit nga Korça, Shehi kishte vendosur të afronte lojtarin duke parë videot e tij, por me sa duket trajneri i ri nuk ka parë ato të muajve të fundit.
Kështu, lojtari i cili së shpejti mbush 21-vjeç, ka dështuar plotësisht në aventurën e tij të fundit në kategorinë e tretë braziliane me ekipin e Santa Kruz. Ai iu bashkua kësaj skuadre në janar, por luajti me të vetëm në 2 ndeshje dhe u largua në prillin e vitit 2018 “për të vazhduar jetën e tij”, siç deklaroi asokohe presidenti i kësaj skuadre.
Në Korçë shpresojnë që kjo të ketë qenë vetëm një rastësi dhe që Mota të jetë goditja e duhur për të kthyer Skënderbeun në shina pas largimit të shumë prej elementëve cilësorë që përbënin bërthamën në sezonet e fundit.