Tifozët, por edhe mediet kroate, të gjithë bashkë e konsiderojnë të kaluar Skënderbeun. “Por ata kanë një lojtar të madh, si Bledi Shkëmbi”, – argumentojnë ekspertët në Kroaci. “Po kështu, në dy ndeshjet kualifikuese me moldavët e Milsamit ranë në sy te shqiptarët dy lojtarët e krahëve të mesfushës, të dy mjaft cilësorë,” – shkruan “Jutarnji list”, që më poshtë vazhdon: Ndihmëstrajneri i Dinamos së Zagrebit ishte të mërkurën në Tiranë, ku pa Skënderbeun në Superkupën e Shqipërisë ndaj Laçit. Për ata që e konsiderojnë një ekip “pa emër”, Igor Cvitanoviç këshillon të mos ja fusin kot. Ai paralajmëron se sot futboll dinë të luajnë të gjithë dhe nuk ka asnjë kundërshtar që mund të nënvleftësohet: “Të mërkurën isha në Tiranë dhe përcolla nga afër Superkupën e Shqipërisë, ku Skënderbeu luante ndaj Laçit. Ndeshja përfundoi 2-2, por me humbjen e Skënderbeut në fund, pas një penalltie të pritur nga portieri kundërshtar. Mendoj se qëllimisht Skënderbeu sakrifikoi këtë trofe, duke u fokusuar te përgatitjet që po bën për “play-off”-in e Ligës së Kampioneve. Ajo që pashë ka dyshime, sepse Skënderbeu luajti pa disa titullarë. Vetëm dy të tillë e filluan ndeshjen dhe tre të tjerë luajtën si zëvendësues. Dhe kur u bënë 5 titullarë në fushë, në pjesën e dytë, Skënderbeu filloi të luajë futboll serioz. Pra, isha për të parë fuqinë e kundërshtarit të Dinamos së Zabrebit, por jam ende i paqartë. Mund të them vetëm se ndeshja filloi keq për Skënderbeun, por bashkimi i disa titullarëve bëri që të dominonin pjesën e dytë dhe të barazonin nga 0-2 në 2-2. Trofeun në fund e humbën me penallti.”
Midis komenteve të tjera, që ka bërë zv/trajneri i Dinamos së Zagrebit, ai evidenton këtë fakt: “Skënderbeu, në ndeshjet brenda luan futboll ofensiv, me modulin 4-4-2, ndërsa kundër kundërshtarëve europianë mbyllet disi dhe del në sistemin 4-1-4-1. Ndoshta krahasimi më i mirë i tyre është me norvegjezët e Moldes, që ekip pak më i disiplinuar dhe nuk është befasues, duke pasur parasysh klimën nga vjen. Shqiptarët janë më të prirur për zgjidhje individuale dhe kjo është diçka, për të cilën duhet të jemi shumë të vetëdijshëm. Kundërshtari shqiptar është shumë serioz ndaj s’ka vend bindja e gabuar se ne e “mundim lehtë”. Nuk ka asnjë ekip në botë, kundër të cilit të thoni jemi kualifikuar pa luajtur ende. Sa më mirë ta kuptojmë këtë, aq më mirë për ne. Fituesin e zgjedh fusha, jo deklarimet nëpër gazeta”, – ka përfunduar Cvitanoviç.