Këtë verë situata është ndryshe te Skënderbeu, që mungon në Kupat e Europës, por edhe sezonin e ardhshëm nuk është se do të paraqitet me një ekip shumë të fortë si vitet e fundit, të paktën deri në dhjetor, kur të jetë marrë vendimi i KAS-it.
Është pikërisht beteja ligjore me UEFA-n që e ka diktuar këtë situatë dhe presidenti Takaj e pranon se fitorja më e madhe për Skënderbeun, nëse arrihet, është ajo ndaj qeverisë së futbollit europian:
“Skënderbeu e ka siguruar vetë buxhetin dhe ka qenë kaq i suksesshëm. Jemi ndër ekipet shqiptare model, pasi kemi arritur të sigurojmë të ardhura për një të ardhme të suksesshme. Skënderbeu e ka objektin të qartë se çfarë kërkon në fushën e lojës. Çdo lojtar që vjen te klubi ynë, sado i ri qoftë, e di çfarë objektivi ka. Futet vetëm për një objektiv në fushë: fitoren.
Betejën e kemi me UEFA-n dhe me këtë çështje nuk po merremi vetëm sot, kemi dy vite që merremi. Kemi qenë shumë të suksesshëm me futbollin dhe i kemi arritur të gjitha, ndoshta kemi kaluar edhe pritshmëritë. Tani kemi betejën e madhe me UEFA-ën dhe shpresojmë shumë ta fitojmë. Nëse e arrijmë këtë, do të jetë fitorja më e madhe për Skënderbeun”, – ka thënë mes të tjerash presidenti i klubit korçar, Ardjan Takaj, në një prononcim për TVSH-në.
Sipas asaj që kanë thënë më parë në klubin korçar, vendimi i KAS-it për çështjen e Skënderbeut pritet të merret në fund të vitit.