Ballina Kampionati Tronditet Skënderbeu, të gjithë “memecë”

Tronditet Skënderbeu, të gjithë “memecë”

139
4
Our Sponsor
shkembi

Heshtje absolute në radhët e skuadrës kampione, ku askush nuk denjon të ngrejë telefonin dhe jo më të flasë. Humbja në Laç e ka larguar ndjeshëm titullin

 

Leonard Trebicka

Our sponsor

 

Pas 5 fitoreve radhazi për kampionët dhe 3 javësh kryesimi të Superligës, ka ardhur ajo humbje shokuese në Laç. Skënderbeu ka zbritur sërish në vend të dytë, duke ia dorëzuar kreun Kukësit. Një pikë është diferenca me vendin e parë, ndërkohë që një pikë pas korçarëve është Partizani dhe tri pikë Tirana. Në fakt, u duk se gjithçka do të ishte në dorë të Skënderbeut në lidhje me titullin kampion, por kampionët e kanë ndërlikuar situatën me atë humbje në transfertë. Përpara ndeshjes ndaj kurbinasve të gjithë nën zë pohonin se edhe një barazim do të ishte mirë, duke pasur parasysh fushën e vështirë të Laçit, por, siç rrodhën ngjarjet, Skënderbeu duhej ta kishte fituar atë 90-minutësh, pasi luajti me dy lojtarë më shumë. Por nuk mundi të shënonte, madje e pësoi në shtesë dhe doli duarbosh. Kampionët zhvilluan një ndeshje vërtet të dobët, me vetëm dy apo tre raste shënimi dhe asgjë më shumë se kaq. Ata ishin në një ditë të errët, që u kushtoi lënien e kreut. A do të ketë sërish rokadë me Kukësin? Kjo sigurisht që mbetet për t’u parë, por e sigurt është se do të jetë shumë e vështirë. Kurbinasit meritojnë fjalët më të mira, sepse i dhanë një leksion Skënderbeut, duke treguar se futbolli luhet me shpirt dhe deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit. Korçarët ndoshta nuk e meritonin humbjen, por ja që ndodhi dhe titulli tashmë është më larg.

HESHTJA – Dje, një ditë pas humbjes në Laç, ka qenë e pamundur për të komunikuar me drejtuesit dhe futbollistët e Skënderbeut. “Sport Ekspres” ka telefonuar disa herë presidentin Ardjan Takaj dhe futbollistë të ndryshëm, por askush nuk është përgjigjur.  Të gjithë kanë qenë të mërzitur dhe në kampin korçar ka pllakosur heshtja totale. Askush nuk ka guxuar të flasë. Sikur ishte parandjerë diçka e tillë që para ndeshjes në Laç, kur drejtuesit vendosën për heshtje shtypi. Nuk është e vështirë të kuptohet se humbja e fundit ka lënë pasoja të rënda dhe gjendja psikologjike e lojtarëve është në kuota minimale. A do të jenë ne gjendje kampionët ta kalojnë këtë situatë aspak të mirë? Ata e kanë treguar se mund t’ia dalin, por çdo ndeshje e mbetur bëhet edhe më e vështirë, kështu që nuk është i njëjti rast. Kampionati ka edhe 7 javë dhe gjithçka mund të përmbyset, por kjo heshtje totale vërtet që vret. Ndoshta ditët në vijim mund të kemi ndonjë deklaratë të drejtuesve apo të ndonjë lojtari, por deri pas ndeshjes me Kukësin është e sigurt se të paktën futbollistët do të heshtin. Presidenti Takaj, përpara ndeshjes ndaj kurbinasve tha se do të fliste pas Laçit, por duket se kjo humbje e ka tronditur shumë. Nga burime pranë klubit korçar bëhet me dije se nuk ka pasur asnjë takim të presidentit Takaj me lojtarët apo ndonjë analizë të trajnerit Josa. Këto pritet të ndodhin sot.

KUKËSI – Skënderbeu nuk ka kohë të “qajë” për humbjen e fundit, sepse në prag është gjysmëfinalja e parë e Kupës me Kukësin. Kjo ndeshje do të luhet ditën e mërkurë, në Kukës, ku trajneri Josa do ta ketë në dispozicion gjithë grupin. I vetmi shqetësim për stafin teknik është ana psikologjike, që duhet të përmirësohet patjetër. Kupa është një tjetër objektiv për kampionët dhe përqendrimi për këtë ndeshje duhet të jetë vërtet maksimal. Kukësi është më i qetë, pasi jo vetëm që fitoi takimin e fundit, por u kthye në krye. Trajneri Josa duhet të punojë më shumë psikologjikisht me të tijtë dhe ndoshta edhe një barazim mund t’i kënaqte kampionët në fuqi. Skënderbeu dhe Kukësi këtë muaj do të ndeshen tri herë, dy herë për Kupë dhe një herë për kampionat. Ndoshta kthesa e korçarëve mund të vijë që të mërkurën.

Artikulli paraprakSkënderbeu luan sezonin në 4 ditë, harrohet Laçi, drejtuesit lënë pas kritikat
Artikulli tjetërPolemika te korçarët, Martins bëhet çështje, sulmuesi s’e pranoi zëvendësimin

4 KOMENTET

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu