Dënimi i dhënë nga UEFA në drejtim të Skënderbeut, nuk u prit aspak mirë nga klubi, por as nga tifozët korçarë. I pari, zhgënjeu dhe nuk bindi në disa takime radhazi, ndërkohë që tifozët nisën të dilnin në protesta për të mbrojtur skuadrën e tyre, e nga ana tjetër, komentet në rrjetet sociale ishin nga më të ndryshmet. Disa prej tyre, akuzonin skuadrën korçare për trukime e disa të tjerë, i konsideronin si personat që po vrisnin ëndrrat.
Me shpresën se Skënderbeu do të luante në Europë këtë sezon, ata festuan me skuadrën titullin kampion, madje edhe humbjen e turpshme 1-5 ndaj Vllaznisë në javën e fundit të kampionatit. Vendimi i KAS-it për të lënë jashtë Europës Skënderbeun, të paktën këtë sezon, duket se i ka bërë sërish bashkë tifozët korçarë.
Në ditën e parë të stërvitjes, kur ekipi nis përgatitjet zyrtarisht për sezonin e ardhshëm, futbollistët u përballën me tifozët, të cilët këtë herë ishin pa nerva, pa inat dhe pa urrejtje e në çdo moment, ata tregonin se ishin aty vetëm për të mbështetur futbollistët, duke u munduar të linin pas krahëve të gjitha të errëtat e këtij sezoni futbollistik. Në fakt, mënyra se si tifozët e Skënderbeut e kanë pritur vendimin e UEFA-s dhe KAS-it do të shihet në ditët në vijim dhe në ndeshjet e para të bardhekuqve.