Leonard Trebicka
Muaji gusht që sapo ka nisur është muaji më i ngjeshur për kampionët e Shqipërisë, pasi sipas kalendarit Skënderbeu pritet të luajë jo pak por 6-të ndeshje. Kjo do të thotë se një herë në katër ditë (05 gusht-29 gusht) skuadra e Josës duhet të zbresë në fushë në këtë muaj “përvëlues” Një mesatare vërtet e lartë ndeshjesh, aq më tepër që kampionët tashmë luajnë edhe në Champions. Por, duke parë kalendarin e ngjeshur, më 90% të mundësive FSHF-ja mund të shtyjë startin e sezonit të ri. Nëse për të gjitha ekipet e tjera nuk e shtyn, të paktën për Skënderbeun kjo gjë pritet të jetë më shumë se e sigurt.
Champions – Këtë muaj të nxehtë Skënderbeu e nis me ndeshjen qysh në datën 5 gusht, pra të mërkurën e ardhshme, teksa në “Elbasan Arena” do të presë Milsamin, skuadrën moldave të cilën e pati mundur në ndeshjen e parë 2-0. Ky takim do të startojë në orën 20:45. Por, nuk është se përfundon me kaq Championsi për këtë muaj për Skënderbeun. Kjo, pasi me 90% Skënderbeu do të kalojë në fazën e play-off-it të Champions Ligës dhe datat që ka përcaktuar UEFA janë, 18-19 gusht dhe 25-26 gusht. Shorti do të hidhet në datën 7 gusht, pra dy ditë pasi të mësohen skuadrat që do të kualifikohen më të tej në eventin më të madh europian. Njërën ndeshje Skënderbeu do ta luajë në transfertë dhe tjetrën e sigurt që do ta luajë sërish në “Elbasan Arena”, si stadiumin i vetëm në Shqipëri që UEFA e ka certifikuar për t’u luajtur ndeshjet e Champions League. Pra, tre ndeshje Championsi vetëm brenda këtij muaji për bardhekuqtë, dy në “shtëpi” dhe një në transfertë.
Superliga – Si për të shtuar numrin e ndeshjeve kujtojmë që këtë muaj starton edhe Superliga e sezonit 2015-2016. Sipas kalendarit dhe shortit që ka hedhur FSHF-ja ndeshja e parë starton në datën 22 gusht dhe Skënderbeu e luan në transfertë ndaj Vllaznisë, por “Loro Boriçi” akoma nuk do të jetë gati dhe kjo do të thotë që do të luhet në një fushë asnjanëse. Vetëm një javë më vonë skuadra e Josës do të rikthehet të luajë në shtëpinë e vet, në stadiumin “Skënderbeu”, pasi në javën e dytë do të presë Kukësin në shtëpi. Dy javët e para të Superligës do të duhet të luhen në fund të muajit gusht, por është më shumë se e sigurt që FSHF-ja do të ndryshojë startin e këtij kampionati, pasi Skënderbeu ndeshjen e kthimit të turit të tjetër do ta luajë në datat 25/26 dhe nuk mund të luajë më parë ndeshjen hapëse të kampionatit ndaj Vllaznisë. Në këtë “lëmsh” të vërtetë me ndeshje ka vetëm një “rrugë”, që federata e futbollit të shtyjë startin e Superligës, pasi në fund të fundit edhe FSHF-ja duhet të “gjunjëzohet” përpara një epoke të re që po shkruan skuadra juglindore e Skënderbeut.
Superkupa – Sezoni i ri futbollistik 2015-2016 fillon më 12 gusht. Pikërisht në këtë datë do të luhet finalja e Superkupës së Shqipërisë, e cila ngre siparin e aktivitetit futbollistik kombëtar sezonal. Kampionia në fuqi dhe fituesja e Kupës së Shqipërisë, do të ballafaqohen në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, më 12 gusht ora 20:00. Skënderbeu dhe Laçi, pra, do të matin forcat në një finale Superkupe, e cila nuk është se ka shumë vlera monetare, por shërben për ta nisur sezonin me këmbën e mbarë. Kjo finale organizohet nga FSHF-ja, e cila do të merret edhe me shpërndarjen e biletave të ndeshjes për të dy tifozeritë, por jo vetëm. Skuadra që e ka fituar më shumë, pot 10 herë këtë trofe është Tirana. Pas saj vjen Dinamo, që tashmë militon në Kategorinë e Parë, Flamurtari, Vllaznia dhe Skënderbeu, nga dy herë. Sikurse shihet, finalistët e sezonit të këtij viti, korçarët, e kanë provuar dy herë Superkupën, ndërsa Laçi ende jo. Një finale e tillë Skënderbeu-Laçi u luajt edhe para dy vitesh, më 18 gusht 2013, kur Skënderbeu fitoi me penallti ndaj Laçit, ndërkohë që koha e rregullt kishte përfunduar 1-1.
Ndeshjet e muajit gusht
05 gusht Skënderbeu – Milsami (Champions-League)
12 gusht Skënderbeu – Laçi (Superkupa)
18/19 gusht Turi i play-off Champions League (Champions-League)
22 gusht Vllaznia – Skënderbeu (Superliga)
25/26 gusht Turi i play-off Champions League (Champions-League)
29 gusht Skënderbeu – Kukësi (Superliga)
Superkupat e fituara
Tirana 10 herë (1994, 2000, 2002, 2003, 2005, 2006, 2007, 2009, 2011, 2012)
Dinamo 2 herë (1989, 2008)
Flamurtari 2 herë (1990, 1991)
Vllaznia 2 herë (1998, 2001)
Skënderbeu 2 herë (2013, 2014)
Elbasani 1 herë (1992)
Partizani 1 herë (2004)
Besa 1 herë (2010)