Leonard Trebicka
“Shumicën e kohës kemi qëndruar në ‘Tropikal’ dhe unë mendoj se është një resort i shkëlqyer. Kam provuar të gjitha gatimet shqiptare dhe ushqimi që më pëlqen më shumë është pilafi. Janë ambiente të shkëlqyera si në Durrës, por edhe këtu në Korçë dhe absolutisht kjo më bën të ndihem më mirë. Ditën e kaloj me stërvitje dhe më pas me Ademirin preferojmë edhe ndonjë lokal. Këtu kam ardhur vetëm për futboll dhe mendoj gjatë gjithë ditës vetëm për futbollin.”
Këto kanë qenë fjalët e para të Eskuerdinja, brazilianit 24-vjeçar që mbërriti vetëm në orët e fundit të fazës përgatitore në Austri te Skënderbeu dhe që arriti të shkonte deri atje, sa Josa t’i besojë në Champions edhe formacionin. Francisko Lisvaldo Daniel Duarte është emri i plotë i brazilianit në fjalë, ndërkohë që “nofkën” e futbollit e ka Eskuerdinja, ashtu siç i thërrisnin në Brazil. Por, çfarë mendon braziliani për Shqipërinë, Korçën, skuadrën kampione, për stafin drejtues, futbollistët e ekipit të tij dhe për gjithçka tjetër që e bën të ndihet mirë në vendin tonë? Për të gjitha këto Eskuerdinja në një rrëfim pa “dorashka” për “Sport Ekspres” ka dhënë këtë intervistë:
– Eskuerdinja, jeni i kënaqur me Skënderbeun qysh në momentin që keni mbërritur dhe deri tani?
– Nuk mund të them i kënaqur, pasi jam më shumë se i lumtur. Të them të drejtën nuk e prisja që të ishte kaq mirë. Skënderbeu ka një skuadër shumë cilësore, ka futbollistë profesionistë, po luajmë në Champions, kemi pretendime të mëdha në Europë dhe synim është edhe titulli i gjashtë kampion radhazi. Më mirë se kaq nuk mund të gjeja një skuadër larg Brazilit. Po përjetoj javë vërtetë të lumtura me skuadrën time të re.
– Jeni aktivizuar në tre ndeshje deri tani, një si zëvendësues dhe dy të tjera si titullar…
– Unë që kur erdha te Skënderbeu, erdha me mendimin që të luaj, ndërkohë që nëse kam luajtur në formacion, apo e kam nisur rezervë, për këtë më mirë pyesni trajnerin. Ai i di gjërat e tjera, unë di vetëm që duhet të stërvitem maksimalisht dhe këtë kam bërë dhe do të bëj.
– Dy brazilianë ka Skënderbeu, Ademir Souzën dhe Eskuerdinjën. Si ndjeheni me Ademirin?
-Absolutisht që ndjehem shumë mirë. Pothuajse gjithë ditën qëndroj me të, më mëson ndonjë fjalë shqip, por është shpejt për ta mësuar shqipen. Gjithsesi do të përpiqem. E falënderoj shumë Ademirin që edhe ai po më qëndron vërtet shumë pranë.
– Çfarë emocionesh ju jep Champions Liga, pasi në mos gaboj është hera e parë që luani në një event të tillë?
– Po, është e vërtetë që luaj për herë të parë në një eveniment kaq të madh futbollistik në Europë. Emocionet janë më shumë se të mëdha, ndërkohë që do ju thoja se më ka bërë përshtypje se shumë njerëz i qëndrojnë pranë Skënderbeut dhe përveç saj, kjo skuadër ka një tifozeri të mrekullueshme. E kisha ëndërr diçka të tillë vite më parë, por ja që sot gjithçka është realitet.
– Te Skënderbeu ka shumë lojtarë që duan formacionin. Ju tremb konkurrenca?
– Unë e përmenda edhe më lart që Skënderbeu ka lojtarë profesionistë dhe në të tilla skuadra, nuk mendoj se ndonjë lojtar e tremb konkurrenca. Janë një grup vërtet i madh lojtarësh që meritojnë të jenë në formacion, por një skuadër super si Skënderbeu duhet të ketë sa më shumë lojtarë të mirë edhe në stol dhe këtë e ka, prandaj të gjithë luftojnë për një vend në formacion. Kjo i bën mirë skuadrës.
– Shumicën e kohës keni qëndruar në “Tropikal”, por edhe në Korçë. Si e kaloni ditën dhe çfarë ushqimi ju ka bërë përshtypje?
– Po, është e vërtetë që shumicën e kohës kemi qëndruar në “Tropikal” dhe unë mendoj se është një resort i shkëlqyer. Kam provuar të gjitha gatimet shqiptare dhe ushqimi që më pëlqen më shumë është pilafi. Janë ambiente të shkëlqyera si në Durrës, por edhe këtu në Korçë dhe absolutisht kjo më bën të ndihem më mirë. Ditën e kaloj me stërvitje dhe më pas me Ademirin preferojmë edhe ndonjë lokal. Këtu kam ardhur vetëm për futboll dhe mendoj gjatë gjithë ditës vetëm për futbollin.
– Flisni shpesh me të afërmit tuaj në Brazil dhe çfarë u keni thënë për Shqipërinë?
– Flas çdo ditë flas me të afërmit e mi. Ata më pyesin çdo ditë si kaloj dhe si dal në stërvitje. Më ndjekin shumë edhe nga larg dhe unë i informoj për çdo gjë. Më kanë parë edhe në ndeshjet që kam luajtur dhe ndjehen krenarë për atë që kam dhënë deri tani. I kam folur vetëm të vërtetat për Shqipërinë dhe u kam thënë që te Skënderbeu më duan vërtet shumë, realisht më mirë se kaq nuk mund ta prisja që të më prisnin kaq mirë këtu ku jam.
– Skënderbeu ka fituar 2-0 në Moldavi. Një fitore më shumë se e merituar edhe sipas jush?
– Sigurisht që ka qenë një fitore e madhe dhe më shumë se e merituar. Ne, nuk e njihnim kundërshtarin, por ishim të bindur që do t’ia dilnim, sepse jemi një grup shumë i mirë lojtarësh. Bëmë thjesht lojën tonë dhe arritëm të shënonim dy gola, por mund të kishim shënuar edhe më shumë se aq, pasi shanset i kishim të mëdha. Gjithsesi, morëm atë që dhamë në fushë dhe jemi krenarë për këtë.
– Në Elbasan të mërkurën e ardhshme, si e mendoni ndeshjen e kthimit?
– Do të jetë hera e parë që do të luaj në stadiumin më të mirë shqiptar për momentin dhe kam dëgjuar që do të ketë shumë tifozë atë ditë për të na mbështetur. Kjo më kënaq edhe më shumë, pasi i ftoj të mos mungojnë, sepse absolutisht që do të japim më të mirën dhe do të kalojmë më tej, për këtë ju garantoj. Por, që na duhet përqendrim dhe ne këtë e kemi qysh këto ditë të para të stërvitjeve këtu në Korçë.
– Nëse Skënderbeu kualifikohet në grupet e Europa Ligës, çfarë synimesh ka Eskuerdinja?
– Synimin që ka gjithë skuadra. Të shkojmë sa më larg. Dhe, ne do të shkojmë sepse jemi një grup dhe luajmë shumë mirë, gjë që e kemi treguar edhe në ndeshjet e Championsit. Unë jam në shërbim të klubit dhe skuadrës dhe të gjitha synimet që ka klubi unë premtoj si lojtar që do të jap maksimumin tim të mundshëm.
– Sa larg e shikoni këtë Skënderbe dhe a mendoni se me këtë grup do të fitojë edhe titullin e gjashtë kampion radhazi?
– Me këta tifozë që ka skuadra, me këtë president, me këtë staf teknik me në krye trajnerin Mirel Josa, do të shkojmë vërtet larg. Unë jam këtu që të vazhdojmë rrugën e titujve kampionë dhe edhe titulli i radhës me këtë grup që kemi absolutisht që do të jetë i yni. Së fundi, dua të them diçka. Falënderoj Zotin, Skënderbeun dhe gjithë tifozët duke më mbështetur maksimalisht shumë dhe unë i përqafoj dhe u them që të presin shumë më shumë nga Eskuerdinja, sepse ky është vetëm fillimi për mua te kjo skuadër kaq e madhe, që quhet Skënderbeu.
5 klube
ka pasur në karrierën e tij Francisko Lisvaldo Daniel Duarte ose siç e thërrasin Ekuerdinja. Ato janë Bragantino, Treze, Sousa E.C, Boa Esporte dhe së fundmi Skënderbeu.
3 paraqitje
Numëron deri tani Eskuerdinja me skuadrën e Skënderbeu, që të trija në arenën e Championsit. Në njërën është aktivizuar si zëvdendësues, ndërsa në dy të tjerat si titullar.