Kualifikimi i Skënderbeut për në Grupet e Europa League është festuar gjatë në qytetin e serenatave. Sportdashësit korçarë që nuk mundën ta ndiqnin skuadrën e tyre deri në Elbasan për ta parë nga afër Skënderbeun u mbërthyen para ekranit. Emocionet për sfidën ndaj Milsamit rriteshin me kalimin e orëve, ndërsa goli i parë i realizuar nga Salihi në vetëm 16 minutat e para të përballjes bëri që “shampanja” të bëhej gati, ndërsa hapja e saj u bë pas golit të Prognit. Përfundimi i sfidës u shoqëruar me oviacione nga tifozët korçarë, të cilët nuk nguruan që këtë moment historik të skuadrës së tyre zemrës ta ndanin edhe me disa gota alkool, por edhe me muzikë. Gjithçka dje në Korçë ishte perfekte, atmosfera elektrizuese, e cila shpërtheu edhe më shumë në momentin kur në qytetin juglindor mbërritën edhe tifozët që kishin ndjekur në Elbasan ndeshjen ndaj Milsamit. Festa vijoi deri në të gdhirë. E ku më mirë se në qytetin e serenatave mund të organizohej një festë e tillë, ndërsa momenti historik i Skënderbeut askujt tashmë nuk mund t’i fshihet nga memoria.