Qyteti i Elbasanit në shtetrrethim për ndeshjen Skënderbeu-Milsami. Do të angazhohen 336 forca të rendit dhe 120 stjuartë
Policia e Elbasanit ka bërë të ditur dje se ka ndërmarrë një seri masash organizative me qëllim ruajtjen e rendit dhe qetësisë gjatë zhvillimit të ndeshjes Skënderbeu-Milsami, që do të luhet më 5 gusht në “Elbasan Arena”.
Përmes një komunikate për shtyp, drejtoria lokale e policisë ka bërë me dije bllokimin e disa segmenteve rrugore. Konkretisht do të bllokohet shëtitorja nga stadiumi deri tek sheshi “1 Maji”; aksi nga Bashkia në dalje të Unazës; nga rrethrrotullimi i Luleve deri tek ai i Zaranikës.
Ndërkohë, nuk do të lejohen parkimet në sheshin përpara Pallatit të Sportit dhe as para stadiumit. Gjithashtu bëhet me dije se, hyrja e tifozëve do të jetë 2 orë para ndeshjes, me qëllim shmangien e radhëve. Për garantimin e sigurisë, gjatë ndeshjes do të angazhohen 64 efektivë të FNSH-së, 30 agjentë të Qarkullimit Rrugor, 136 nga seksioni i Rendit Publik, 56 agjentë krimesh dhe 50 punonjës nga sektorë të tjerë. Ndërsa njofton se nuk do të lejohet marrja e fëmijëve të mitur pa u pajisur me biletë, Drejtoria e Policisë së Elbasanit u bën thirrje tifozëve që të mos marrin me vete sende të forta, shishe dhe fishekzjarre, pasi në rast të kundërt nuk do të lejohen të hyjnë në stadium. Në kuadër të masave, nga ora 18 deri në përfundim të ndeshjes, të gjitha lokalet në afërsi të stadiumit do të mbahen të mbyllura. Policia kërkon gjithashtu mirkuptimin e qytetarëve për të minimizuar lëvizjen e tyre me automjete, çka sipas saj do të sillte një ndihmesë të madhe.