Takimet, sipas të dhënave, kanë qenë pozitive, por sigurisht që ende nuk është arritur në një akord. Pavarësisht se Shehi ka dhënë një farë garancie, por mbi të gjitha edhe një suport psikologjik pas goditjes që morën me lënien jashtë Europës, duket se problemi mbetet te financat. Janë pikërisht këto çështje financiare, që duhet të zgjidhë vetë presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, i cili vijon të jetë i bindur për të bërë ekip të mirë në të ardhmen. Sigurisht që një gjë e tillë është paraprirë nga ana e presidentit të Skënderbeut, i cili, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ka lënë të kuptohet se kush ka dëshirë të jetë pjesë e Skënderbeut, derën e ka të hapur, por dera është e hapur edhe për ata që duan të largohen. Këtu përfshihen futbollistët pa kontrata, pasi ata që janë nën kontratë me klubin do ta kenë shumë të vështirë një gjë të tillë, sepse drejtuesit duan të përfitojnë financiarisht nga shitja e kartonëve të tyre.
SENATORËT
Pak a shumë pezull te bardhekuqtë kanë mbetur fatet e disa futbollistëve që ishin pa kontratë, ku mes tyre spikasin emra të rëndësishëm, që fillojnë me Gjergji Muzakën e Osmanin e për të vijuar me Micin e Vangjelin. Të gjithë janë në dilemë për të ardhmen. Nga ana tjetër, korçarët ende nuk janë duke lëvizur për merkaton në hyrje. Veç rikthimeve të lojtarëve, të cilët janë të huazuar, nuk ka asnjë lojtar tjetër të afruar në këtë dritare merkatoje. Sigurisht, që një situatë e tillë nuk është aspak e favorshme për bardhekuqtë, të cilët javën e ardhshme do të fillojnë edhe fazën përgatitore. Diçka të tillë Shehi e di mjaft mirë dhe duket se po bën të gjitha llogaritë e nevojshme që të ketë një ekip të rëndësishëm në sezonin e ri. Gjithsesi, duket se në kampin bardhekuq puna vazhdon me mjaft përkushtim nga ana e trajnerit të ri. Shehi në tavolinën e tij ka disa CV lojtarësh, të cilët mund të jenë kandidatë të rëndësishme për ekipin e ri që do të ndërtohet.
Llazi Saro