Oto Xhon ka provuar që të luajë si titullarë në pjesën më të madhe të ndeshjeve me Skënderbeun. Sulmuesi nga Nigeria është “shigjetuar” madje edhe si një humbës rastesh. Por, në një prononcim për “Rtshsport”, Oto Xhon është i bindur dhe ka besim se skuadra dhe ai do të rikthehen si në ditët e tyre më të mira. “Nuk na ndihmon aspak kjo ndërprerje, mendoj se ishte në një moment pozitiv dhe prisnim që të luanim ndeshjen e radhës me kuksianet dhe për t’iu treguar të gjithëve se kush është Skënderbeu”.
Rastet
“Normalisht që çdo sulmues humbet raste, por duhet edhe fat kur shënon. Ndoshta kanë ndikuar të gjitha nga pak. Falënderoj stafin e drejtuesit që më kanë ndihmuar shumë. Shpresoj të jap më të mirën në ndeshjen e radhës duke gjetur edhe golat”.
Synimet
Lidhur me synimet që ka në të ardhmen, sulmuesi nigerian ka pohuar: “Në ndeshjet e radhës dua që të jap më të mirën. Ka akoma edhe shumë javë dhe të gjithë të jenë të sigurt se ky Skënderbeu nuk do të jetë në këtë situatë, por do të ngjitet, e madje do të jetë në një vend nderi”, – tha sulmuesi nigerian i korçarëve, Oto Xhon.