Rikthehen Ardit Hoxhaj, Bruno Lulaj, Xhefri Bushi dhe Anteo Osmanllari, të cilët e kaluan sezonin në skuadra jo me pak emër. Hoxhaj mori hapësirat e duhura te Flamurtari, ashtu si Lulaj në Laç dhe Osmanllari në Peshkopi te Korabi. Ndërkohë që figura e parë që ka rënë menjëherë në syrin e të pranishmëve në aneksin e stadiumit “Skënderbeu” ka qenë Ilir Allmuça.
Mbrojtësi 22-vjeçar që bëri një sezon të shkëlqyer me Dinamon, sot ka zbritur dhe është vënë nën urdhrat e teknikut Orges Shehi. Ky i fundit do të japë pas një jave vlerësimin për djaloshin që luan në të majtë të mbrojtjes.
Allmuça ka qenë titullar prej dy sezonesh te Dinamo, teksa ka arritur që të jetë i pazëvendësueshëm në formacionin e Igli Allmuçës. Ai kërkon që të hedh një hap të madh në karrierën e tij, ndërsa ka vetë në dorë atë që po dëshiron. Pritet për t’u parë performanca e tij, ku do të tregojë nëse ka aftësitë për të zëvendësuar Micin.
Me afrimin e Allmuçës, apo rikthimin e lojtarëve të rinj në moshë, Skënderbeu po tregon se ka besim te elementi që premton për të ardhmen. Duke ulur kostot, madje duke mbajtur dhe ata që kanë rrogat më të ulëta në përbërje të skuadrës, presidenti Takaj pak a shumë po zbulon strategjinë e tij për sezonin e ri që do të nisë më 12 gusht për Skënderbeun