Leonard Trebicka
Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, pas fitores 1-0 ndaj Kukësit, ka qenë mjaft i gëzuar, sepse e donte me çdo kusht një start me 3 pikë. Ai deklaron se Skënderbeu është vetëm për të qenë kampion. Për “Sport Ekspres” presidenti Takaj ka dhënë këtë intervistë:
– Takaj, ishte e vështirë fitorja e sotme (djeshme) ndaj Kukësit?
– Normalisht, prisja diçka më të vështirë, por ekipi, deri në gjysmën e pjesës së dytë luajti shumë mirë. Do të them se këtu ndikoi shumë edhe lodhja, pasi vinim pas Dinamos së Zagrebit dhe kishim pak kohë për të rikuperuar. Dihej që një ndeshje e tillë, me të tilla nivele, do të jepte shenjat e veta. Gjithsesi, më pëlqeu ekipi dhe grinta e lojtarëve në fushë. Ishte shumë e rëndësishme për të fituar këtë takim, pasi ne pretendojmë titullin e 6-të radhazi.
– Shumë shpejt dilni me objektivin e titullit…
– Ne jemi këtu për titullin. Nuk është Skënderbeu këtu për asgjë tjetër. Madje, nëse them që jemi këtu për të zbukuruar garën, asnjë nuk do ta marrë seriozisht. Ne këtu jemi vetëm për titullin, por se sa do ta marrim, do të jetë vetëm Skënderbeu që do ta tregojë.
– Ndoshta është shumë shpejt, por ju cilin ekip konsideroni si rivalin kryesor?
– Do të shohim edhe disa javë, pasi ekipet nuk janë në formën e tyre më të mirë dhe kanë bërë ndeshje të dobëta. Në ndeshjet e para ndodh kështu, pasi nuk është e menjëhershme përshtatja.
– Sa e vështirë është të luash në kampionatin shqiptar, pas një aventure në Europë?
– Normalisht, është e vështirë, pasi diferencat në futboll janë shumë të mëdha. Mua më pëlqeu dëshira e ekipit dhe kjo dëshirë nuk duhet të na mungojë asnjëherë. Në rast se vazhdojmë kështu në të dy frontet, atëherë do t’ia dalim.
– Keni ndonjë koment për autorin e golit, bullgarin Hristov?
– Ai është lojtar i kombëtares bullgare dhe kjo nuk është pak. I është dashur pak kohë në përshtatje, por sigurisht që tani po jep sinjale të shkëlqyera.
– Dy ditë na ndajnë nga fundi i merkatos. Do të kemi afrime të tjera?
– Të shohim si do të përfundojë me Salihin dhe më pas do të bëjmë merkato. Të jeni të sigurt se Skënderbeu ka dhe dy goditje tani në fund dhe prisni deri në momentin e fundit.
– Salihi është mundësi reale?
– Ne flasim për mundësi reale. Nesër Salihi do të vendosë se çfarë do të bëjë. Ai është i Skënderbeut, kjo nuk diskutohet, por nëse do të ketë një ekip që e kërkon me ngul dhe i bëhet mirë lojtarit, sigurisht që nuk do të bëhemi kurrë pengesë për të.
700.000 euro
është vlera minimale e lojtarëve të Skënderbeut, që kërkohen nga ekipet e huaja. E ka zbuluar këtë fakt vetë presidenti Takaj gjatë një interviste “live” për Supersport. Kjo është shifra fillestare, pasi ka edhe lojtarë që vlejnë më shumë, deri në 1 milion euro. Në radhët e Skënderbeut janë të paktën 3 lojtarë që kërkohen në merkato, por për momentin Takaj nuk dëshiron t’i lërë të largohen. Mes emrave më të përfolur janë Berisha, Latifi, Nimaga dhe Peter.