Transformimi i Skënderbeut këtë sezon kanë qenë i madh, ndryshe nga herët e tjera që ndryshimet kanë qenë të limituara. Korçarët kanë pasur një eksod të madh lojtarësh, gjë që u reflektua edhe në formacionin bazë që do të hedhë në fushë trajneri Orges Shehi. Në një situatë të tillë, me grupin aktual që ka në dispozicion numri një i pankinës korçare, formacioni shfaqet thuajse gati. Pavarësisht se në Korçë priten afrimet e tjera që do të kompletojnë akoma edhe më shumë grupin e Skënderbeut, trajneri i ri i kampionëve në fuqi ka filluar të ndërtojë që tani formacionin e sezonit të ardhshëm. Përpos ndryshimeve të shumta, Shehi duket se e ka konturuar pjesën më të madhe të 11- shit zyrtar që pritet të konfirmohet në ndeshjen e parë sezonale në Superkupë kundër Laçit.
MBROJTJA
Në këtë situatë porta duket e kompletuar me Aldo Teqjan, që është përgatitur si titullar dhe Mario Dajsinanin si rezervë të parë. Më tej, në mbrojtje, me rikthimin e kapitenit Marko Radas nga huazimi te Laçi, kroati do të zërë vendin e titullarit përkrah Fidan Alitit në qendër. Kaba Sambou së bashku me Bruno Lulajn do t’u bëjnë presion gjatë gjithë kohës nga stoli. Lulaj mund të përshtatet me lehtësi edhe si mbrojtës i djathtë, atje ku luan Vangjeli, ndërsa në anën tjetër Leonit Abazi është gati për të zënë krahun e majtë me Jorgo Pëllumbin në stolin e rezervave.
MESFUSHA
Sigurisht që në pritje të Osmanit, reparti më në emergjencë është ai i mesfushës. Këtu po që ka mangësi lojtarësh, sepse duke parë që edhe Nimaga është drejt largimit, Orges Shehit i duhet të planifikojë Ditën në pozicionin e “ekranit” dhe më pas Vila së bashku me Muzakën disi më të avancuar në mesin e fushës. Këta tre lojtarë do të jenë baza e formacionit në këtë repart, ndërsa janë gati për të qenë pjesë edhe Demte së bashku me të rinjtë si Mara apo Qoshku.
SULMI
Pa dyshim që në këtë repart, Dejvi Bregu është kryesori dhe pika e referimit në repartin e avancuar. Sigurisht që me Bregun sulmi i Skënderbeut merr mjaft potencial dhe normalisht që pesha kryesore bie mbi vlonjatin, teksa në anën tjetër do të jetë një luftë e hapur në krahun e djathtë mes Ardit Hoxhajt dhe Nazmi Gripshit, ndërsa në qendër Krasniqi dhe Oto Xhon do të luajnë për një vend. Ky pak a shumë është deri më tani edhe formacioni që Shehi ka në plan për Skënderbeun e tij.