Skënderbeu më në fund po stërvitet i plotë dhe kjo normalisht që është një armë plus për Orges Shehin. Për fat të mirë, infermieria e klubit korçar është zbrazur dhe të gjithë futbollistët janë bashkuar me grupin nën drejtimin e Orges Shehit.
Një gjë e tillë vlen për të gjithë, duke filluar me Muzakën që bëri edhe një pjesë të mirë në miqësoren e fundit, për të vazhduar në pas me Lulajn dhe Hoxhajn që tashmë do të jenë nën urdhrat e Shehit në vijim të kësaj faze përgatitore. E vetmja mungesë për momentin është ajo e Radasit që vijon të jetë i huazuar te Laçi për ndeshjen e Europës dhe më pas do t’i bashkohet ekipit.
Miqësoret – Korçarët janë duke kërkuar një tjetër test miqësor, që do të shërbejë për të parë gjendjen e ekipit nga trajneri Orges Shehi. Pas tri miqësoreve të zhvilluara, duket se Shehi kërkon të ketë të paktën edhe dy të tjera deri në datën 13 gusht kur do të vijë edhe përballja me Laçin në Superkupë. Për këtë, drejtuesit janë duke punuar dhe pritet që nga dita në ditë të caktohet edhe testi i radhës për kampionët në fuqi.