Enis Gavazaj është në pritje të largimit nga Skënderbeut, por ka bërë të ditur se nuk ka marrë ende vendimin përfundimtar se ku do të vazhdojë karrierën e tij. Për mesfushorin, e vetmja siguri është se do të zgjedhë një skuadër ku të luajë rregullisht, siç ka shpjeguar ai në konferencën e sotme për shtyp.
Nëse kjo është konferenca e fundit si lojtar i Skënderbeut
“Nuk i dihet a do të jetë apo jo konferenca e fundit me Skënderbeun. Por siç e keni dëgjuar ka interesime nga ekipe jashtë vendit. Për momentin jam lojtar i Skënderbeut, përderisa jam këtu, do të mundohem vetëm për Skënderbeun, nuk di a është kjo konferenca e fundit apo jo”.
Cilat janë klubet që interesohen për të
“Ka klube nga Belgjika, Kroacia dhe Rusia, ku të jetë më e mira, aty do të shkoj”.
Për objektivat e Skënderbeut në vazhdim
“Vetë emri i Skënderbeut është i madh për futbollin shqiptar dhe besoj se edhe këtë vit do të ketë zgjidhje, do të ketë lojtarë shumë të mirë që do të përfaqësojnë shumë mirë qytetin e Korçës dhe besoj që me ardhjet e reja klubi do të luftojë përsëri për të fituar kampionatin”.
Çfarë kërkon në klubin e ri
“Për mua ka rëndësi që ku të iki, edhe të luaj, të kem vazhdimësi siç e kisha edhe këtu në Korçë. Nuk është me rëndësi kampionati ku do ik por aty ku do të luaj”.
Për largimin nga Skënderbeu
“Kam kaluar dy vite të mrekullueshme në qytetin e Korçës, nuk do të largohesha pa përshëndetur, do vija përsëri në klub e pastaj do të largohesha”.
Për ndryshimet e mëdha në përbërje
“Nuk di deri ku kanë shkuar largimet, se sa lojtarë janë larguar deri tani. Por besoj se edhe me trajnerin që deri pak kohë më parë e kisha bashkëlojtar, besoj se do të arrijmë të bëjmë ekip shumë të fortë dhe si e thashë me herët, do jemi kompetitiv në kampionat. Gjithmonë ka zëvendësime. Iku Latifi, iku Berisha, iku Salihi, vijën lojtarë të tjerë. Gjithmonë ekipi bën më mendim largimet që bën dhe mendoj se edhe kësaj radhe do të ketë afrime cilësore”